Meta i kërkon KLSH të auditojë “Albcontrol”: I gatshëm për negociata

62

Nisur nga situata tepër e rëndë e krijuar dhe veçanërisht rolit, që ka “Albcontrol” për administrimin dhe kontrollin e hapësirës ajrore të Republikës së Shqipërisë, e lidhur direkt me sigurinë kombëtare të vendit dhe me garantimin e shërbimeve për udhëtarët dhe qytetarët shqiptarë, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i është drejtuar sot Kontrollit të Lartë të Shtetit, duke i kërkuar të fillojë një auditim të plotë në shoqërinë “Albcontrol”.

Meta këkronë që Kontrolli i Lartë i Shtetit të bëjë një auditim për mënyrën e menaxhimit të kësaj shoqërie; respektimin e dispozitave ligjore në vendimmarrjet e organeve drejtuese; përdorimin e fondeve publike; respektimin e procedurave në marrëdhëniet e punës, si dhe çdo aspekt tjetër që paraqet rrezik për veprimtarinë e sigurt dhe funksionimin normal të “Albcontrol”.

“Presidenti Meta po ndjek nga afër dhe me vëmendje zhvillimet lidhur me menaxhimin e situatës në “Abcontrol” dhe në aeroportin “Nënë Tereza”, dhe i kërkon autoriteteve respektive të marrin të gjitha masat, për të mos vënë në rrezik sigurinë e hapësirës ajrore në Republikën e Shqipërisë, për të rifilluar pa vonesë funksionimin e monitorimit ajror dhe të shërbimeve aeroportuale,  duke respektuar të drejtat dhe detyrimet reciproke, pa tejkaluar në mënyrë shproporcionale me reagimin e tyre, përgjegjësitë ligjore mbi këtë rast. Presidenti i Republikës u bën thirrje për reflektim të gjithë aktorëve të përfshirë dhe është i gatshëm në çdo moment të thërrasë urgjent një tryezë për një zgjidhje sa më të shpejtë dhe të arsyeshme.”, thuhet në reagimin e Presidencës.