Meta: Persona me rekorde kriminale janë pajisur me ID false në Korçë, mund të përdoren për zgjedhje

68

Presidenti Ilir Meta ka dalë këtë të enjte në një konferencë për mediat, ku ka hedhur akuza lidhur me vjedhjen e identiteteve nga persona me rekorde kriminale, të shqiptarëve të cilët nuk kanë mundësi të vijnë në atdhe për të votuar.

Meta u shpreh se për këtë ka vënë në dijeni edhe autoritet ligjzbatuese.

“Në qarkun e Korçës, shtetas me rekorde kriminale janë pajisur me letërnjoftime me të dhëna të personave të tjerë. Shtetas të huaj dhe shqiptarë janë pajisur me letra identifikimi, ky rrjet është zbuluar nga vende të tjera, dhe përbën një skandal në Maqedoninë e Veriut. Në Maqedoninë e Veriut janë arrestuar disa persona, përfshirë edhe disa punonjës të policisë.

U bëj thirrje gjithë zyrtarëve shtetëror të kenë kujdes. Qytetarët të mos paraqiten në qendrat e votimit me dokumente të rreme, se do mbajnë përgjegjësi nga i pari deri te i fundit.

U kam kërkuar organeve përgjegjëse të nisin menjëherë hetimet, për këtë veprimtari të paligjshme dhe kriminale, si dhe për të ruajtur të pacënuar integritetin zgjedhor. Një vend pune nuk vlen kurrë sa e ardhmja e Shqipërisë, sa e ardhmja europiane e të gjithë shqiptarëve.

Kush falsifikon, kush tenton të prek votën, do ta ketë vendin në burg. Presidenti është në detyrë dhe në monitorim, sesi institucionet qeveritare veprojnë për të mbrojtur integritetin zgjedhor në kohë”-tha ndër të tjera Meta

Ky artikull është i shkruar nga gazetarët e Descript.al, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Descript.al dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.