Ministrja e Jashtme: Vuçiç nuk lejohet të hyjë në Kosovë derisa të kërkojë falje për gjenocidin

90

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka thënë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, nuk do të lejohet të hyjë në Kosovë derisa të kërkojë falje për gjenocidin ndaj popullit të Kosovës dhe derisa të dalin para drejtësisë ndërkombëtare përgjegjësit e këtij gjenocidi.

Deklarata e saj vjen pasi Presidenti serb kishte deklaruar në Batajnicë, ku janë gjetur trupat e 744 shqiptarëve të vrarë, se ndihet krenar që është kryetari i një shteti që 21 vite pas përfundimit të luftës, kanë dhënë leje për të kryer gërmime në varret masive të shqiptarëve të vrarë nga Serbia.

Ministrja i drejtohet publikisht Presidentit serb: A je ndjerë po aq krenar edhe kur ke qenë në tavolinën ku u morr vendimi për të kryer këto krime kundër shqiptarëve të Kosovës”?

“Ka përfunduar koha kur Kosova është keqpërdorë si monedhë transaksioni ndërkombëtar dhe si platformë për show politik për Vuçiçin dhe Serbinë”, ka shkruar Haradinaj në rrjetin social Twitter.

Ditët e fundit ka pasur një tension midis Kosovës dhe Serbisë, pasi Vuçiç më 12 nëntor pas një takimi me ambasadorët e Kuintit tha se mund të ndodhë një konflikt si ë Nagorno Karabakut nëse përpjekjet për kompromis mes dy vendeve dështojnë.