Mos na vrisni vendlindjen!/Thirrja e Diasporës për Strugën

28

Mërgata shqiptare në Zvicër ka ndjekur me shqetësim të madh ngjarjet e fundit të ndodhura në Maqedoninë e Veriut. Me po të njëjtin shqetësim shohim se një pjesë e madhe e politikës dhe e zërave publikë dhe medialë kanë heshtur para gatimit të një prej dramave më të mëdha që po thuret në kurriz të mërgimtarëve.

Pasi u ndalua regjistrimi i popullsisë krejt papritur duke përdorur pandeminë si shkak, a thua se kur u zhvilluan zgjedhjet e fundit nuk kishte pandemi, por mbi këtë hilè vjen dhe skandali i fundit. Ky skandal tenton të eliminojë mërgatën nga e drejta ligjore, morale dhe hyjnore e të pasurit Vendlindje! Kështu tani thuhet se kur të rifilloi regjistrimi Diaspora (domethënë ne mërgimtarët), do të evidentohemi, por aq, nuk do të numërohemi si pjesë e popullit të Maqedonisë së Veriut. Do të jemi thjesht emra dhe mbiemra hallexhinjsh që skamja, frika, dhuna i detyroi të braktisini shtëpitë, kurse tashmë qeveria ja merr shtëpitë me gjithë vendlindje!

Dëgjoni këtu politikanë, e sidomos ti z.Ali Ahmeti, që edhe je në qeveri, edhe je shqiptar, edhe shqiptarët po t’i kërcënojnë, ama ti këto ditë as nuk je parë dhe as nuk je dëgjuar:
Nëse dikush apo gjithkush nga ju, mendon të na lerë pa vendlindje, ta dijë që ka punë me Shqiptarët dhe me Zotin sepse edhe Zoti është me të drejtën e popujve për të pasur vendlindje. Me tokat ku paraardhësit tanë kanë hedhur rrënjë, ku ende janë të freskët bajrakët e stërgjyshërve tanë që duruan dhe sakrifkuan deri edhe jetën që ne të vinim në jetë, aty ku jemi lindur e ku kemi mësuar si të themi fjalën Nënë dhe fjalën Bab, e pra me ato toka, me tokat tona Askush Nuk Mund Të Luajë!

E provuan me luftë, me gjenocid, me diskriminim të tmerrshëm, dhe prapë nuk ja dolën, ndaj tash që është shekulli i 21, le t’i lënë këto provokime të shëmtuara, e të heqin dorë nga çdo ide fashiste, e të na lënë të zhvillojmë vendin tonë sepse ju kujtojmë se paratë tona janë të ardhura shumë të rëndësishme për buxhetin e shtetit!

E për fund:

A e dini cila është ëndrra e secilit mërgimtar?

Që një ditë të kthehet në vendlindje! Ne lodhemi shumë e nuk na mbetet kohë të kemi shumë ëndrra, ndaj mos na i prishni këto pak që kemi! Për ata që duan të bëjnë politikë gjoja patriotike duke thurur kështu lloj strategjish anti-shqiptare, ju themi se- patriotizmi nuk bëhet duke mohuar një popull tjetër!

Ne i kemi thënë Mirupafshim vendit tonë, mos ne deryroni t’i themi Lamtumirë se nuk ka gjë më të rëndë se kur të vrasin vendlindjen!

Kushdo që do të marrë pjesë në këtë krim le të mendojë dhe pasojat.