Mullixhiu që “ia luan” edhe Xhozit

184

Mullixhiu politik ka patur shumë punë këto kohë. Duke qenë i ndërgjegjshëm se marrëdhëniet “nuse-vjehrrë”, sa vijnë e acarohen, e për më tepër, janë gati t’i çojnë palët në konflikte ekstreme, ka “mprehur gurët e bluarjes“, e po pret oferta.

Ndër më të fundit habere që i mbërriti në vesh, ishte ai për krijimin e një partie të re, edhe nga ish-drejtuesja e lartë e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli.

E meqë ish-kryetaren e Kuvendit e ka patur “fiksim platonik“, u bë gati ta dëgjojë. U lye me parfum të shtrenjtë, veshi kollare, u la e u shpëla, e u bë gati. Për asnjë prej Murrizëve e Hajdarëve që i kishin çuar zile dhe e kishin takuar, nuk ishte përgatitur në këtë mënyrë. E priste që ata të ishin dy-përdorimsha dhe bënte interesantin.

Por kurrë nuk i shkoi mendja se edhe Xhozi, do t’i dilte në shteg. Bënte llogari me veten, sesi ajo ktheu kokën drejt tij, kur idhulli i saj, Saliu, ishte ende gjallë politikisht, e madje, duke e ndihmuar në distancë Bashën, me aq sa ia lejon “mosha politike“.

e sa duket, Mullixhiut i duhej të kapte edhe njëherë situatën: rregulli i treshit, me të cilin kishte bërë emër këto 30 vjet, nuk funksionuaka mirë.

Që në këtë rast, i binte që fakti që Topalli do Berishën, e Berisha do Bashën, Jozefina të donte Bashën. Por jo…kësaj radhe nuk është kështu. Njëri prej tyre, i bie që nuk e do tjetrin. Po kush? Berisha nuk do Bashën?! Apo Basha nuk ia ka marrë parasysh ndërhyrjen e Berishës, për riafrimin e Topallit në PD?! Në të dy rastet, pikpyetja ka edhe një pikëçuditëse nga pas.

Por Mullixhiu politik, si “kopil” i vjetër i situatave të vjetra e të reja, e kapi në ajër se tashmë logjika e mësipërme ka rënë dhe Jozefina, në mos t’i bëjë gropën Lulit, të paktën disa “lopata baltë” do t’ia gërmojë.

E po kështu do të gërmojnë me sa munden, edhe Murrizi, Rudina, e ndoshta Patozi. E sikur lopata fëmijësh të kenë secili, besoj do të hapin një “gropë” të konsiderueshme.

Ja këto mendonte Mullixhiu atë ditë, ndërsa priste të shkonte ora fiks, kur në derën e “mulliut” t’ia behte Xhozi. /Descript.al-Paracetamoli/

*Kjo është rubrikë satirike, jo pa të vërteta