Nis puna për ndërtimin e spitalit të Fierit nga Turqia, shpronësohen 12 familje

467

Pavarësisht protestave të banorëve për kompensimin financiar të tokës me vlerën e tregut, në Daullas të Fierit nisën punimet për spitalin e ri.

Disa makineri të rënda zbarkuan në orët e para të mëngjesit në tokën ku është planifikuar që brenda tre muajve të përfundojë ndërtimi i spitalit. Fadromat filluan me hapjen e kanalizimeve dhe rrjetin energjetik.

Vendosja e shtyllave të energjisë elektrike dhe sistemi i ujit janë faza e parë. Pronarët e tokës vijojnë të kundërshtojnë çmimin, transmeton Abc.

Për ta dëmshpërblimi i premtuar është qesharak. “10 kokrra vezë fshati bëjnë 3 mijë lekë të vjetra dhe ai një metër tokë thotë që 3 mijë lekë e shfrytëzoj unë. Por  me këto çmime që kemi dëgjuar ne është turp”, u shpreh një nga fermerët.

Edhe pse e shohin këtë investim si shërbim ndaj komunitetit, këta banorë thonë që do t’i drejtohen gjykatës për tokën. “Tek vlefta e lekut nuk jemi dakord. Do ndjekim procedurën e  Kodit Ligjor, ndërsa punimet le të vazhdojnë. Ne do ta kundërshtojmë me gjykatë pastaj se sa e aftë është gjykata këtu të duket. Çmimi është diskriminues”, thonë banorët.

Në këtë truall ku po ndërtohet spitali i ri, një investim turk me vlerë 66 deri në 70 milion euro,  janë 12 familjeve që presin të marrin paratë për pronën bujqësore. Spitali do të shërbejë për të gjithë jugun.