Një kafe me “SPAK”

70

Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion, e bërë e famshme si SPAK, duket se po sheh qamet me sy, ditë pas dite.

Për çdo ofendim politik, secila parti përgatit një çështje dhe ia kalon për shqyrtim. E ndërsa pjesëtarët e kësaj strukture, nuk kanë njomur ende gishtin për të shfletuar akuzën, vjen deklarata direkt se SPAK po fsheh hetimin.

E kur anëtari i kësaj strukture ende nuk ka kohë të habitet, vjen një tjetër qëndrim: SPAK është i kapur.

Këtë i thoshin njëri-tjetrit dy anëtarë të SPAK, ndërsa pinin një kafe gjysmë të hidhur “në këmbë”, tek kafja e brendshme e godinës.

I qanë hallin njëri-tjetrit se dosjet ishin kapicë, e ata ishin aq pak, por mbi të gjitha, se ishin çështje komplet politike e me prova “çiliminjsh” brenda.

Mirëpo kur akuzat artikulohen si prova, e kur “provat” deklarohen të tilla nga Presidenti, kreu i opozitës, kreu i deputetëve të mazhorancës etj, kush do guxojë t’i quajë “punë çiliminjsh”?

Rrufitën atë kafe me SPAK, më falni me pak, edhe u ngjitën shkallëve, për të shfletuar një tjetër dosje që u kishte mbërritur që pa gdhirë….Secili qeshi me vete me dosjen respektive, por u detyrua ta fshihte këtë buzëqeshje, e t’i jepte drejtim juridik. /Descript.al-Paracetamoli/

*Kjo është rubrikë satirike, jo pa të vërteta