Nuk e fshehim dot… / Rama reagon pas deklaratave të Bashës për numrin e viktimave nga Covid-i: Si të zë gjumi?

70

Kryeministri Rama ka dalë pasditen e sotme në një deklaratë për mediat, teksa i është përgjigjur publikisht kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha në lidhje me akuzat e këtij të fundit se qeveria ka fshehur numrin real të viktimave nga Covid-19 në vendin tonë.

Në reagimin e tij, kreu i qeverisë pikë së pari mohoi të gjitha akuzat në fjalë, ndërsa e cilësoi çnjerëzore këtë deklaratë të kryedemokratit, si dhe dënoi rëndë publikimin në disa media të fotove të viktimave Covid nga morgu i Tiranës.

Këto foto, Rama i cilësoi montazhe dhe akuzoi opozitën se ka kaluar çdo limit të demokracisë.

“Kam përgjegjësinë e jashtëzakonshme të jem në krye të vendit, në kohën e një sprove të jashtëzakonshme, që është e përbotshme prej 9 muajsh e po sfidon të gjitha shtetet, për shkencën, mjekësinë, politikën, qeverisjen, mediat sigurisht. Është sprovë për karakterin e kombeve. Këtë sprovë ne shqiptarët, ashtu si edhe tërmetin nuk e kemi zgjedhur.

Askush nuk mund të fajësohet nëse vendi goditet nga një tërmet apo pandemi. Por mënyra e reagimit, po. Virusi godet nga pak, pasojat na sprovojnë përditë. Në të dyja rastet del në pah karakteri ynë. Jam krenar për se si ne, si popull kemi reaguar për të dyja rastet, e që njerëzit janë bashkuar qoftë për të ndihmuar të varfrit gjatë tërmetit, qoftë për të zbatuar masat e pandemisë.

Jam i keq ardhur që kjo dalje ime sot u provokua nga krejt e kundërta e virtyteve të shqiptarëve, teksa shumica e këtij populli bën më të mirën e vetë, një pakicë e zhurmshme rri mënjanë shan, akuzon e gjuan me gurë.

Nuk jam këtu për tu ankuar për baltën dhe pështymat që marr përditë nga pakica, se mua personalisht të sharat më bëjnë më të fortë, më japin energji të udhëheq betejat në çdo fushë!

Por, ka ndryshim të madh si dita e nata mes kritikave dhe sharjeve e fyerje. Këto të fundit më ndezin shumëkush e quan arrogancë, ndoshta, por do ta quaj pasion të madh për punën që më është besuar dhe Shqipërinë që dua për të gjithë fëmijët tanë.

Që të kemi opinion ndryshe kjo është demokraci, por të shash e të shpifësh nuk është lulëzim demokracie. Ne nuk mund të ndahemi me numrin e të vdekurve, të bëjmë politikë me inskenime fotosh nga morgu i spitaleve. Kjo nuk është njerëzore, nuk mundet që deri tek Presidenti e opozita të kenë komitete alternative.”, u shpreh ndër të tjera në reagimin e tij Kryeministri Rama.

(Descript.al)