‘Nuk ma hap njeri telefonin, mbrëmë kishte temperaturë’ / Tjetër denoncim i fortë nga ‘Infektivi’, gruaja humb çdo kontakt me burrin

218

Mungesa e informacionit për pacientët e shtruar në dy spitalet Covid në kryeqytet ka qenë një nga shqetësimet më të shpeshta që është ngritur nga ana e familjarëve, që thonë se organizimi në këtë strukturë lë shumë për të dëshiruar.

Një zonjë, e cila ka bashkëshortin e saj të shtruar prej 8 ditësh në Infektiv, shprehet se prej mbrëmjes së djeshme ka humbur çdo kontakt me familjarin e saj dhe është e shqetësuar pasi gjendja e tij mund të ketë ardhur drejt përkeqësimit.

Teksa tregon për gazetaren e ‘Fax News’, Fjona Çela, zonja shprehet se spitali është bërë njësoj si burgu i Spaçit, ku njerëzit mbahen shumë larg familjes, dhe se askush nuk e di se çfarë ndodh brenda.

“Kam që mbrëmë që nuk flas dot me bashkëshortin, ka 8 ditë që është në Infektiv. Është e drejta jonë që të kemi informacion, është njësoj si në burgun e Spaçit, tani nuk e hap dot burri im telefonin, ta hapin infermieret. Nuk kam asnjë informacion, as nëse është rënduar, as nëse është më mirë. Burri mbrëmë ishte me temperaturë të lartë, kjo më shqetëson, se po të ishte mirë do mendoja se është në gjumë dhe nuk ma hap. Nuk e di se ku është infektuar burri, ne të tjerët nuk jemi prekur, celulari bie dhe nuk e hap njeri. Për shërbimin nuk ka pasur ankesa, i kanë qëndruar pranë, edhe mbrëmë që ishte me temperaturë i kishin vendosur kompresa, por kjo e informacionit është shqetësim i të gjithë familjarëve”, shprehet zonja.

Në oborrin e Infektivit edhe sot vihet re një prani shumë e madhe ambulancash, që kanë bërë të mundur transportimin e pacientëve, që kanë shfaqur simptoma të rënda të sëmundjes. (Marrë nga Faxnews)