Nxitja e punësimit/Ministrja Denaj nga Vlora prezanton tre skemat: Menaxhohen nga zyrat e punës

57

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj zhvilloi një takim me përfaqësuesit e bizneseve, në Drejtorinë Rajonale të Punësimit dhe Aftësimit në Vlorë ku u diskutua për përfitimet nga programet e nxitjes së punësimit dhe ndërmjetësimit.

Gjatë këtij takimi, ministrja u shpreh se, janë tre skema për nxitjen e punësimit.
“Janë tre skema të nxitjes së punësimit, të cilat stimulojnë me gati 50%, marrëdhënien kontraktuale të punës mes individit dhe punëdhënësit. Skema e parë dhe skema e dytë, përfshin personat që do të kthehen në tregun e punës, pasi janë larguar nga situata e mbylljes ekonomike. Gjithashtu, kemi një skemë të tretë, ku personat që janë informalë për 12 muaj, u paguhet dhe subvencionohet pjesa e sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore, si punëdhënësit, por edhe punëmarrësit”, nënvizoi Denaj.

Këto tre skema nxitjeje menaxhohen nga zyrat e AKPA-s, e cila në mbështetje të punësimit, ka përfshirë gjithashtu edhe arsimin profesional, ku në qarkun e Vlorës janë dy shkolla; “Shkolla Tregtare” dhe “Pavarësia”.
Sipas ministres, janë tre elemente të rëndësishme që i vijnë në ndihmë biznesit të vogël.

“Janë tre elemente të rëndësishme që i vijnë në ndihmë biznesit të vogël: tatim fitim 0, rritja e pragut të TVSH-së dhe skemat e nxitjes së punësimit. Këto janë pjesë e rimëkëmbjes ekonomike, ku për biznesin e vogël dhe qytetin e Vlorës impakti do të jetë absolutisht i madh”, theksoi Denaj.

Programet e punësimit parashikojnë punësim në periudha 4, 8 ose 12-mujore, në përshtatje me profilin dhe nevojat e punëkërkuesit sipas vendit të lirë të punës. Ndërkohë punëdhënësit do ti ofrohet subvencionim në varësi të periudhës së punësimit të stafit për:Programi i punësimit 4 – mujor:
Financimin e pagës në shumën 100% të pagës minimale në shkallë vendi, të përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi, për 2 (dy) muaj për të gjithë pjesëmarrësit në program, të kompensuara në muajin e parë, dhe të katërt të kontratës;
Kontributet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore (pjesë e kontributit të punëdhënësit), të llogaritura në bazë të pagës minimale në shkallë vendi, të ofruara gjatë të gjithë kohëzgjatjes së punësimit, të kompensuara çdo muaj.

Programi i punësimit 8 – mujor:
Financimin e pagës në shumën 100% të pagës minimale në shkallë vendi, të përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi, për 4 (katër) muaj për të gjithë pjesëmarrësit në program, të kompensuara në muajin e parë, të dytë, të shtatë dhe të tetë të kontratës;
Kontributet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore (pjesë e kontributit të punëdhënësit), të llogaritura në bazë të pagës minimale në shkallë vendi, të ofruara gjatë të gjithë kohëzgjatjes së punësimit, të kompensuara çdo muaj.

Programi e punësimit 12 – mujor:
Subvencionim i kostove te financimit të sigurimeve të detyrueshme (kontribut i punëdhënësit dhe punëmarrësit) në masën 100 (njëqind) %, të llogaritura në bazë të pagës minimale në shkallë vendi, të përcaktuara sipas legjislacionit në fuqi, të ofruara gjatë të gjithë kohëzgjatjes së programit, të kompensuara çdo muaj.
Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive është institucioni përgjegjës për regjistrimin e punëdhënësve të interesuar dhe ndjek procedurat për përfitimet nga këto programe të punësimit.