OBSH: Evropa është vatra më e nxehtë e Covid-19 në botë

65

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë me dije se Evropa është kontribuesi më i madh global për rastet e reja dhe vdekjet e shkaktuara nga Covid-19 javët e kaluara, pavarësisht masave të rrepta të ndërmarra për të frenuar pandeminë.

Sipas raportit të OBSH, Evropa përbën 44% të rasteve pozitive dhe 49% të vdekjeve globale nga Covid-19. Ndërsa numri i rasteve të reja në rajon është në rënie, numri i viktimave është akoma në rritje, shkruan CNN.

Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian, u bëri thirrje udhëheqësve të BE këtë të mërkurë nga salla e Parlamentit Evropian që të mos i lehtësojnë shumë shpejt kufizimet e koronavirusit:

“Unë e di që pronarët e dyqaneve, banakierët dhe kamerierët në restorante duan t’i japin fund kufizimeve, por ne duhet të mësojmë nga vera dhe të mos përsërisim të njëjtat gabime. Të lehtësohen masat shumë shpejt është rrezik për një valë të tretë pas Krishtlindjeve.”

Por ajo shtoi gjithashtu se Komisioni Evropian tashmë ka siguruar kontrata për vaksinat me gjashtë kompani farmaceutike dhe qytetarët evropianë janë ndër të parët që mund të vaksinohen para fundit të dhjetorit.

Komisioni Evropian njoftoi të martën se kishte siguruar një kontratë me kompaninë farmaceutike Moderna për marrjen e 160 milionë dozave të vaksinës ndaj Covid-19.

/descript.al/