OBSH njofton rënie të rasteve me Covid-19 në mbarë botën

73

Rastet globale të koronavirusit ranë me 11% në javën deri në 21 shkurt, duke shënuar javën e gjashtë radhazi të rasteve në rënie, tha të martën Organizata Botërore e Shëndetësisë, raporton CNN.
OBSH raportoi 2.4 milion raste të reja dhe 66,000 vdekje të reja atë javë, një rënie prej 20% e vdekjeve nga një javë më parë.

Kjo çon gjithsej në 110.7 milion raste dhe më shumë se 2.4 milion vdekje që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit, sipas shifrave të OBSH.

Shtetet e Bashkuara aktualisht po raportojnë numrin më të lartë të rasteve të reja, të ndjekura nga Brazili, Franca, Rusia dhe India. OBSH vuri në dukje se ndërsa shumë vende po raportojnë një rënie në rastet e përgjithshme të koronavirusit, raportet e varianteve Covid-19 janë në rritje.

OBSH tha se varianti B.1.1.7 i zbuluar për herë të parë në MB tani është gjetur në 101 vende, ndërsa varianti B.1.351 i zbuluar për herë të parë në Afrikën e Jugut tani është gjetur në 51 vende.

Varianti më pak i përhapur B.1.1.28.1,  i identifikuar për herë të parë në Brazil dhe Japoni – tani është gjetur në 29 vende.

Ky artikull është i shkruar nga gazetarët e Descript.al, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Descript.al dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.