OBSH paralajmëron: Duhet ritëm më i shpejtë i vaksinimit në Evropë

45

Shkalla e vaksinimit në Evropë është ende e pamjaftueshme për të parandaluar një ringjallje të COVID-19, ka paralajmëruar Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), raporton Euronews.

Më shumë se 400 milionë doza të vaksinave të koronavirusit janë administruar në të gjithë kontinentin në gjashtë muajt e fundit.

Por zyra rajonale e OBSH-së ka përsëritur thirrje për vigjilencë dhe kufizime të vazhdueshme shëndetësore mes shqetësimeve për variante të reja të virusit.

“Megjithëse kemi ardhur shumë larg, nuk kemi arritur aq sa duhet,” tha Drejtori Rajonal i OBSH-së për Evropën Hans Kluge në një konferencë për shtyp.

“Mbulimi i vaksinimit është larg nga i mjaftueshëm për të mbrojtur rajonin nga një ringjallje e virusit,” shtoi ai.

Deri më tani, rreth 30% e të rriturve evropianë kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës COVID-19 dhe 17% janë vaksinuar plotësisht.

Por Kluge paralajmëroi se vaksinimi duhet të ndodhë “me një ritëm shumë më të shpejtë” këtë verë për të arritur objektivin “e konsiderueshëm” kur të paktën 80% e popullsisë të vaksinohet.

“Ne gjithashtu duhet të kujtojmë se vaksinimi nuk na ndalon automatikisht të sëmuremi ose të përhapim virusin,” tha Kluge.

“Vaksinimi, sidoqoftë, zvogëlon mundësinë për t’u sëmurur rëndë ose për të vdekur nga COVID-19.”

OBSH gjithashtu ka rekomanduar që qytetarët të shmangin hapësirat “e mbyllura, ose të mbushura me njerëz” që i vendosin qytetarët në një rrezik më të lartë të infektimit.

Ky artikull është i shkruar nga gazetarët e Descript.al, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Descript.al dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016