Orët e një operacioni të kotë për të neutralizuar një media

1248

Redaktori i lajmeve nxitoi si përditë të çonte skaletën e lajmeve në studio, bashkë me kokat e lajmeve, siç quhen në zhargonin gazetaresk. Vrapoi shkallëve që të arrinte orarin fiks, se lajmet nuk të falin për orar. Papritur një zë i bërtiti përballë fytyrës dhe një ushtarak i Forcave Speciale, i bëri thirrje të hidhte armët. Redaktori shqeu sytë, por insistimi i ushtarakut që e mbante për vete një armë, bëri që t’i hidhte pa kujdes kokat e lajmit, të cilat u shpërndanë korridoreve.

Disa ushtarakë të tjerë mësynë në ambientet e televizionit, duke u bërë thirrje njerëzve që ndeshnin përballë, të hidhnin nga dora gjithçka që mbanin e që mund të ishte e dyshimtë. Korridori u mbush me stilolapsa, bexha gazetarësh, fletë A 4, kufje, ndonjë rimel sysh, një dezinfektues, një shtypë e pa shpëlarë, një gotë uji pa ujë, e një me ujë, një palë syze jo të shtrenjta, një lampostil, e një fallco-letër.

Gradualisht njerëzit u mblodhën të gjithë në hollin kryesor të televizionit dhe u urdhëruan të mos ngjiten në vendet e punës, deri në një urdhër të dytë. Askush nuk u kishte dhënë një shpjegim, ndërkohë që një qen profesionist, u ngjit nëpër studio, për të verifikuar diçka që me siguri, konsiderohej e dyshimtë. Tentativave të gazetarëve për të kuptuar se çfarë po ndodhte, u vinte një përgjigje e prerë për të mbyllur gojën, e për të mos e trashur zullumin. Operatorët e studiove mbërritën më vonë se të tjerët, pasi iu desh të sqaronin që kamerat, nuk ishin ndonjë armë e rrezikut në masë.

Dikush raportoi se ishin të ngjashme me ato që ishin sekuestruar në një televizion tjetër, për të cilin duhet të paguajmë të gjithë sot. Operacioni ushtarak u krye me sukses. Stafi u bllokua, transmetimi po ashtu. Shkresat u lanë për një fazë të dytë. Më pas, gradualisht filloi sqarimi i detyrueshëm, ku stafi kuptoi se një urdhër i papritur i SPAK-ut, kish bërë që forcat RENEA, ato të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe një trupë tjetër, që dikush i quajti reparti i zhytjeve, të “pastronin” televizionin Ora, nga implikimi deri në qelizë, me asetet e krimit. Pa njoftim, pa paralajmërim, pa pyetur njeri, pa sqaruar situatën, forcat më të larta të Policisë dhe repartet speciale, ndaluan punën e gazetarëve…Secili prej tyre, qëndronte i habitur sesi mund të ndodhte dicka e tillë, në një kohë të tillë, në një fazë të tillë të vendit. Redaktori që hodhi kokat, i kishte ngulur sytë përtokë.

Njëra prej kokave të lajmit, ishte kthyer parç dhe ai mund të lexonte pa zë: “Paditet në SPAK për tenderin e uniformave, Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dhe Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka”.

Ky është një “peisazh” vetëm i imagjinuar i asaj që mund të ketë ndodhur paraditen e së hënës, në Televizionin Ora. Pavarësisht “kusureve” të pronarit, e çështjeve të ngritura ndaj tij, pavarësisht hetimeve e akuzave, pavarësisht edhe fletë-ndalimeve që mund të jenë dhënë (në rastin tonë nuk ishin dhënë), dreqi ta hajë, ka edhe ca të drejta kushtetuese që duhen respektuar. Gazetarët nuk janë armik, janë pushtet.

Mediat kritike nuk janë objekti i parë i hetimit të strukturave të sapokrijuara të drejtësisë. Nëse e nis me arrestime të vdekurish, edhe e vazhdon me mediat, “horoskopi” profesional nuk do të parashikojë jetëgjatësi, sado të ndërhyjnë ndërkombëtarët. /Descript.al/

*kjo është rubrikë satirike, jo pa të vërteta