Pakti i fëmijëve për të mos bërë si prindërit….

96

Prindërit ia arritën qëllimit: transmetuan intensivisht virus tek njëri-tjetri, ndërsa shikonin fëmijët e tyre të maskuar e distancuar, që plotësonin formularin e përgjegjësisë, për të cilin ata vetë, ishin konsultuar me një jurist për ta plotësuar. Duke respektuar për fëmijët, të gjitha këshillat, mesazhet e veshë-çarjet e autoriteteve për ditën e parë të shkollës, prindërit vetë nuk e çanë kokën për asnjë protokoll.

Disa prej tyre thanë se e kishin nga emocioni, edhe pse fëmija ishte në klasë të katërt. Disa të tjerë, u përgjigjën se hallin e kanë tek të vegjlit, se ata vetë, “ehaaa…dihet si ju shkoi jeta”. Kishte dhe nga ata që ndiheshin të bezdisur për pyetjen që iu drejtohej, se në fund të fundit, ishte jeta e tyre dhe bënin çfarë të donin. Me pak fjalë, prindërit “ngelën në klasë” që ditën e parë të shkollës. Sepse duke parë këtë tablo, mund të mendosh se kemi të bëjmë me njerëz që pak e vënë trurin në punë.

Ata ose zbatojnë symbyllazi urdhërat, pa shkuar më tej sesa kërkesa e autoriteteve, ose nuk dinë të menaxhojnë as situata normale me paralajmërimet për gjendjen pandemike të vendit. Është trishtuese kur fëmijët përshëndesnin me dorë prindërit që qëndronin jashtë kangjellave, ndërkohë që babai ndodhej ngjitur, madje duke u shtyrë, me prindin e shokut, i cili edhe ai përshëndeste me dorë fëmijën e tij.

Madje vetë nxënësit, ose kanë bërë pakt që të mos bëjnë si prindërit, ose kanë vendosur t’i injorojnë ata. Shembulli që familjarët dhanë, ishte ndër më kuptimplotët e shoqërisë sot. Veprimet bëhen pa menduar, shabllon e pa parë më larg se hunda. Shyqyr që fëmijët kanë mendjen e tyre, se po ecën me mendjen e këtyre prindërve, pas pak vitesh do të shkelin ligjet “pa dashje”, duke bërë diçka, e duke harruar shumë-çka.

/Descript.al-Paracetamoli/

*kjo është rubrikë satirike, jo pa të vërteta