Pandemia/Pëllumb Pipero del kundër Ministrisë së Arsimit: Shkollat të mbyllen deri në fund të marsit  

181

Mjeku i njohur Pëllumb Pipero ka rekomanduar që të shtrëngohen masat gjatë periudhës së pandemisë në Shqipëri.

Sipas Piperos, do të ishte që deri në fund të muajit mars, të mbylleshin shkollat e mesme dhe ato 9-vjeçare, ndryshe nga Ministria e Arsimit e cila ka theksuar se ditën e hënë do të rihapen shkollat.

Ai theksoi se do të ishte të përdorej shërbimi delivery, ndërsa në transportin publik, duhet limituar numri i udhëtarëve.

Deri nga fundit i marsit masat duhet të ishin më të shtrënguara, orari i kafeneve më i shkurtuar, të mos shërbehet në tavolina, por “delivery”. Shkollat e arsimit 9-vjeçar dhe të mesëm të ishin mbyllur deri në fund të marsit. Edhe pse nuk është zgjidhje e problemit, është zgjedhje e detyruar për nga ritmet e pandemisë pasi nuk janë kështu vetëm në vendin tone.

Kemi raste të shtuara të sëmundjes dhe forma të rënda dhe humbje të jetës dhe tek moshat e reja. I këshilloj të jenë të kujdesshëm që do të thotë të mbajnë maskë, distancë dhe higjienë. Edhe një lutje kam për ta, të frekuentojnë sa më pak, kafenetë dhe mjediset e mbyllura,”- tha Pipero në një intervistë për A2 CNN.

Ndërkaq në njoftimin e saj të para dy ditëve, ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi theksonte rihapjen e shkollave ditën e hënë, më datë 22 shkurt, 2021.

Duke iu drejtuar të gjithë nxënësve, mësuesve dhe prindërve, ajo fillimisht i falënderon ata “për mirëkuptimin dhe sakrificën e treguar gjatë kësaj jave, në të cilën përveç situatës së rënduar nga pandemia e COVID-19”, janë shtuar edhe problematikat e një moti të acartë në të gjithë vendin.

Sipas Ministres Evis Kushi, që “nga dita e hënë, datë 22 shkurt 2021, të gjithë do t’i rikthehemi skenarit të mëparshëm. Pra, mësimi në të gjitha shkollat e arsimit parauniversitar, publik dhe jopublik, do të zhvillohet si më poshtë:

– nxënësit e ciklit fillor (klasa 1 – 5) në shkollë;

– maturantët në shkollë;

– dhe nxënësit e klasave 6 – 11 sipas skenarit të kombinuar.

Këtu ajo thekson se “shkollat e mesme që ndodhen në zonat me risk të lartë (Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Gjirokastër, Lezhë, Lushnje, Pogradec dhe Kamëz) do të vazhdojnë “online” deri më datë 26 shkurt 2021,  sipas sugjerimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve.

Ndër të tjera, duke cilësuar se gjatë këtyre ditëve ka marrë shumë mesazhe rreth shqetësimeve të ndryshme, Ministrja Kushi siguron se vendimet e ndërmarra bazohen në prioritetin absolut për shëndetin, sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve.