Partitë e vogla të së djathtës në një koalicion? Murrizi i vetëofrohet Topallit: Kam tre emra, ia vendos në dispozicion

847

Partitë e vogla të spektrit të djathtë të cilat janë vendosur në një front kundër Partisë Demokratike akoma nuk kanë vendosur nëse do të dalin në një listë të përbashkët midis tyre apo secila prej tyre do të provojë forcën e vetme përballë shqiptarëve më 25 prill.

Drejtuesit e këtyre forcave politike, si Astrit Patozi i Bindjes Demokratike, Bamir Topi i Fryma e Re Demokratike, Jozefina Topalli e Lëvizjes për Ndryshim dhe Myslim Murrizi i Lëvizjes Demokratike Shqiptare nuk e kanë qartësuar deri më tani nëse do të shkojnë në një listë të përbashkët apo do dalin më vete gjithsecili.Të kontaktuar nga Descript.al, kreu i Bindjes Demokratike Astrit Patozi e ka lënë evazive,  bashkëpunimin me krerët e partive të lartpërmendur, thjesht me kushtin që ato të jenë për lista të hapura dhe për të ndryshuar sistemin

Z. Patozi a ekziston mundësia e bashkëpunimit tuaj me partitë e Jozefina Topallit, Myslim Murrizit dhe Bamir Topit?

Çdo lloj partie që pranon listën e hapur dhe kërkon ndryshimin. Asnjë kusht tjetër nuk kemi.

Po partitë e majta i përfshini në këtë proces?

Çdo lloj partie që pranon listën e hapur dhe e dyta kërkon të ndryshojë dhe jo thjesht të bëjë rotacion.

Po sa i përket emrat të lartpërmendur a ekziston mundësia e bashkëpunimit?

Jemi të hapur për gjithkënd, por emra konkretë nuk mund të përmend. Por nuk kemi as synim t’i përjashtojmë.

Ndërkaq, drejtuesja e partisë më të re Lëvizja për Ndryshim, Jozefina Topalli e ka pasur të pamundur për të dhënë një prononcim për Descript.al, për shkaqe shëndetësore.Më i vjetri ndër krerë e këtyre partive politike, drejtuesi i Frymës së Re Demokratike Bamir Topi nuk ka pranuar të prononcohet duke theksuar se nuk ka asgjë për të thënë për momentin.

Bamir Topi: Ende nuk kam prononcim. Unë s’jam zog i ri në politikë, po të kem prononcimin dhe nuk e jap kështu në mënyrë ekskluzive. Çdo njeri tani shikon momentin që ka gjë për të thënë, po s’pati, s’ka.

Ndërkaq i vetmi i cili ka treguar një gatishmëri për të dalë në një listë të përbashkët, është kreu i Lëvizjes Demokratike Shqiptare, Myslim Murrizi. Ai madje i është vetëofruar Jozefina Topallit duke theksuar se “Në Shkodër, nëse Jozefina do të jetë e para, unë kam tre emra dhe ia vendos në dispozicion. I gjithë problemi është Tirana dhe ata aspirojnë me të drejtë për të qenë kandidatë në Tiranë”.Z. Murrizi a ekziston mundësia e bashkëpunimit tuaj me partitë e Jozefina Topallit, Myslim Murrizit dhe Bamir Topit?

Myslim Murrizi: Problemi është që duhet një vullnet për të nënshkruar një deklaratë së bashku që të respektojmë votën e gjithsecilit. Po mungoi ky vullnet, me këtë ligj që jemi sot, s’ka koalicion.  Me këto përmendi janë të gjithë kryetarë partie si unë. Kryetari i partisë ka të drejtë të kandidojë në 4 qarqe. Unë aspiroj të kandidoj në Tiranë, Fier, Elbasan dhe Korçë. Dhe nëse aspirojnë edhe këta në këto qarqe atëherë duhet të bëjmë një marrëveshje  që nëse merret mandati duhet të merret ai që ka vota më shumë. Për sa kohë nuk ekziston kjo marrëveshje nuk ka pse bëhemi bashkë për të as ata për të më shërbyer mua dhe as unë për t’u shërbyer atyre.

Atëherë do të dilni në vete gjithsecili?

Myslim Murrizi: Nuk e them këtë në mënyrë taksative por kjo e pengon për mua. Me Kodin e ri Zgjedhor një mundësi ka që të ketë koalicion që të jetë një listë e përbashkët dhe përderisa jemi parti të reja, të paktën unë edhe zonja Topalli, se Patozi ka gati 2 vjet dhe Bamiri ka më shumë se 4-5 vjet, duhet të ketë një marrëveshje burrërore. Kam folur me Patozin, me Jozefinën jo direkt, që të ketë një bonsens në respektimin e votës së gjithsecilit, pse jo të bëjmë një listë në gjithë Shqipëri, po bëhet fjalë për qarqet ku ne aspirojmë për të kandiduar. Për shembull unë do të kandidoj në Tiranë, unë besoj që e aspirojnë edhe Topi nëse do të hyjë në zgjedhje, edhe Patozi, edhe Jozefina. Sipas Kodit të ri Zgjedhor këtë punë e zgjidh prezantimi përpara publikut në një deklaratë të pastër noteriale që kush merr vota më shumë të hyjë në Parlament nëse marrim një mandat, edhe po morëm 2 ose 3, të respektohet radha e votës. Për sa kohë që nuk shoh të ketë një bonsens për këtë punë po përpiqem të bëj listën time në gjithë Shqipërinë për vete dhe gjithsecili të provojë fuqinë e tij se sa vota merr. Ky lloj ligji që nuk ka më koalicione klasike në variantin që kanë qenë por që kondicion listën e përbashkët, për ne partitë e vogla, duhet të ketë një farë sinqeriteti dhe një garë të ndershme mes kryetarëve që kanë mundësi të kandidojnë në më shumë se një qark. Tiranën e aspirojnë të gjithë për të kandiduar. Në Shkodër nëse Jozefina do të jetë e para, unë kam tre emra dhe ia vendos në dispozicion. I gjithë problemi është Tirana dhe ata aspirojnë me të drejtë për të qenë kandidatë në Tiranë./Descript.al/