PDK gati negociatat me Vetëvendosjen dhe “Listën” për rrëzimin e Hotit

65

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) pritet të nisë negociatat me Lëvizjen Vetëvendosje dhe minoritet për rrëzimin e qeverisë Hoti.

Sipas mediave në Kosovë, ky angazhim politik vjen pas shkarkimeve të fundit të ‘vulosura’ nga kryeministri Avdullah Hoti.

“ATK kishte nisur hetimet për disa zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), situatë kjo e cila nuk u pëlqeu fare këtyre të fundit. Si rezultat i këtyre hetimeve, gjatë ditës së djeshme, kryeministri Hoti shkarkoi të parin e ATK-së, Ilir Murtezaj.

Kjo, situatë e pakëndshme, ka shtyrë PDK-në, VV-në dhe minoritetet të bëhen bashkë për rrëzimin e qeverisë aktuale, të cilët vazhdimisht kanë kritikuar për perfomancë jo të mirë. Posedojmë emrat e zyrtarëve të LDK-së, për të cilët ATK kishte nisur hetimet, por për të mos ndikuar përgjatë hetimeve, emrat nuk do të bëhen publik deri në një fazë tjetër” shkruan Indeksonline.

Kryeministri i Republikës së Kosovës Avdullah Hoti dje mori tre vendime për shkarkimin e krerëve të tre institucioneve tejet të rëndësishme. Hoti shkarkoi për shkak të performancës kreun e Policisë së Kosovës Rashit Qalajn, i cili në këtë pozicion erdhi kur ekzekutivi ishte në drejtimin e PDK-AAK dhe NISMA-s, raporton Gazeta Express. Në vend të Qalajt ai ka emëruar Samedin Mehmetin i cili ka qenë zëvendësdrejtor i PK’së.

Hoti shkarkoi gjithashtu edhe drejtorin e Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezajn, i cili njëjtë sikurse Qalaj ishte emëruar gjatë qeverisjes së PAN-it. Njeriu i tretë që u shkarkua dje nga Hoti ishte shefi i Doganave, Ibrahim Xhaka i cili ishte emëruar gjatë kohës kur Albin Kurti ishte kryeministër i Kosovës.