Për herë të parë në Itali, kryeministri emëron një grua në krye të shërbimit sekret

85

Një ish-ambasadore është emëruar si gruaja e parë që drejton shërbimet sekrete të Italisë, raporton BBC.
Kryeministri Mario Draghi njoftoi zgjedhjen e Elisabetta Belloni në krye të Departamentit të Sigurisë së Informacionit (DIS).
Departamenti mbikëqyr shërbimet e huaja dhe të brendshme të inteligjencës së vendit dhe i raporton drejtpërdrejt qeverisë italiane.
Zonja Belloni, 63 vjeç, ka një karrierë të gjatë.

Emërimi i saj u mirëprit nga politikanët italianë, përfshirë kreun e partisë së Lidhjes Matteo Salvini, i cili e përshkroi atë si “një grua me guxim”.
E lindur në 1958, zonja Belloni u bë një nga vajzat e para që iu bashkua Institutit prestigjioz, dikur ekskluzivisht vetëm për meshkuj, Massimiliano Massimo në Romë, ku edhe Kryeministri Draghi studioi.
Pasi shërbeu si diplomate në Vjenë dhe Bratislavë, ajo vazhdoi të drejtojë njësinë e krizës të ministrisë së jashtme italiane nga 2004 në 2008, hera e parë që një grua mbante atë detyrë.
Gjatë kësaj kohe, asaj iu desh të merrej me shtetas italianë të vrarë ose të plagosur jashtë vendit, duke përfshirë rrëmbime në Afganistan dhe Irak dhe të mbikëqyrte operacionet e shpëtimit për italianët e prekur nga cunami shkatërrues i Oqeanit Indian të vitit 2004.
Zonja Belloni u ngrit brenda radhëve për t’u bërë gruaja e parë në rolin e sekretares së përgjithshëm të ministrisë së jashtme, posti më i lartë diplomatik i Italisë, dhe një pozicion që ajo ka mbajtur që nga ajo kohë.
Si pjesë e punës mbi çështjet e inteligjencës dhe të sigurisë së huaj dhe të brendshme, DIS i Italisë merret gjithashtu me kundër spiunazhin dhe sigurinë kibernetike.
Në 2019, kryeministri i atëhershëm i Italisë u vu nën vëzhgim pasi lejoi kreun e DIS të takonte Prokurorin e Përgjithshëm të SHBA William Barr në dy raste të veçanta, si pjesë e hetimit të SHBA për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale 2016.

Ky artikull është i shkruar nga gazetarët e Descript.al, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Descript.al dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016