Përdhunonte që prej moshës 10 vjeçare vajzën e bashkëjetueses, merret vendimi për ‘monstrën’ 39 vjeçar

192
FOTO ILUSTRUESE

Gjykata e Durrësit ka vendosur masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për 39 vjeçarin, i cili akuzohet se abuzoi seksualisht me vajzën e bashkëjetueses së tij për afro katër vite.

Trupi gjykues, bazuar në provat e paraqitura nga Prokuroria, vendosi të lërë në burg shtetasin L. Kurti, 39 vjeç, arrestuar pak ditë më parë, pasi dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me një shtetase të mitur 14 vjeçe, (vajzën e bashkëshortes së tij nga martesa e parë).

Masa e sigurisë personale për 39 vjeçarin u zhvillua me dyer të mbyllura për shkak të situatës së COVID-19, por sipas Prokurorisë dyshohet se i arrestuari ka abuzuar seksualisht prej disa vitesh me vajzën e mitur.

Aktualisht vajza është 14 vjeç, ndërsa dyshohet se i arrestuari ka kryer marrëdhënie seksuale me të që kur ajo ishte vetëm 10 vjeçe.

Organi i akuzës, krahas dëshmive të vajzës dhe nënës së saj, ka paraqitur prova të pakundërshtueshme që fajësonin 39 vjeçarin, që ishte përgjigjja e ekspertizës mjeko-ligjore e 14 vjeçares.

Gjatë marrjes në pyetje në Komisariatin e Policisë së Durrësit, por edhe para trupit gjykues, 39 vjeçari ka hedhur poshtë akuzat duke u deklaruar i pafajshëm.

Ai ka pohuar se asgjë nuk është e vërtetë dhe se bashkëjetueset e tij e kanë trilluar gjithë këtë histori, pasi kanë dashur që ta përzënë nga shtëpia.

“Nuk është e vërtetë. Ata që më njohin, e dinë të gjithë që nuk mund ta bëj një gjë të tillë. Gjithë këtë histori e kanë trilluar ato, pasi duan që të mos jetojnë me mua. Jam i pafajshëm, është e padrejtë të përfundoj në burg, pasi nuk kam bërë asgjë nga këto që pretendojnë ato”, është shprehur shkurtimisht pasi ka dhënë gjeneralitetet 39 vjeçari abuzues.