Prapë e KUQE e ZEZË mi gru?

70

Bashkëshortet e atyre që e kanë patur me qejf të provojnë fatin tek kuqe e zeza, pokeri teksan, apo tek Tre Shtatat e kuqe, janë ndjerë të shokuara, pas botimit fletoren zyrtare të lajmit se do të rihapen kazinotë.

Megjithatë, kanë marrë frymë lirisht, kur në siglimin e ligjit që lejon kazinotë, nuk ka qenë firma e Kryeministrit Rama. Në fund të fundit, ai vetë nuk e ka firmosur, edhe pse është vendim i dalë nga qeveria që ai drejton. Madje disa prej tyre, kanë forcuar bindjen, se nevojitet ndryshime të menjëhershme në qeveri, për shkak se disa ministra, ku me siguri është edhe ajo e financave, guxojnë e nxjerrin ligje si ky i rihapjes së kazinove.

Madje, kur u interesuan edhe më tepër për këtë ligj, aq të propaganduar, panë se bashkë me të, caktoheshin edhe vendet ku do të hapeshin kazinotë. Aty u siguruan se nuk do të hapeshin në çdo lagje, e çdo rrugë, si dikur, shkak për të cilin vetë Rama i mbylli. Ndaj ulën edhe ca dozën e inatit, sepse prapë kryeministri, nuk është se kishte shkelur fjalën. Në fund të fundit, gratë e burrave të tjerë le të shkulnin flokët, nëse bashkëshortët frekuentojnë sërish kazinotë, mjafton ai “i veti”, të mos përfshihej.

Edhe pse dëgjonin të tjerë njerëz që thoshin se vetë Rama kishte thënë para 2 vjetësh, se “do t’i shpëtonte gratë dhe fëmijët e kumarxhinjve nga ky ves”, ato prapë nuk i pranuan gojët e liga. E këto gojë të liga, mbanin gjoja mend se kreu i qeverisë e kishte thënë me gojën e tij, se në fund të dhjetorit 2018, “marrëzia” e bixhozit do të zhdukej njëherë e mirë. Por gratë “tona”, nuk pranuan gojë edhe më të liga, të cilat, duke cituar kryeministrin, thoshin se të njëjtën gjë Rama kishte thënë edhe para 4 vjetëve.

Ndërsa disa tipa “të lëvizur” nëpër seli partish, gjoja kujtonin se po Rama, kishte thënë se ai vetë ishte për mbyllje, por nuk e linin deputetët e partisë që t’i mbyllte, se ulte shifrat e punësimit në vend.

Megjithatë, lajmi për rihapjen e kazinove, e shkaktoi një trazim mendor edhe tek gratë e sipërpërmendura. Pavarësisht betimeve të bashkëshortëve se nuk do të preknin buton me dorë, as me bet familjar, sërish një hije dyshimi filloi t’ua pështjellonte stomakun. Ato e dinin se ç’kishin hequr për një “të kuqe që nuk ra e zezë“, apo për një “shalqi që doli tek rreshti i portokalleve“. Megjithatë, ato filluan t’i mbushnin mendjen njëra-tjetrës, se pavarësisht të gjithave, e pavarësisht kush janë ata të cilët do të kenë në zotërim kazinotë që do të rihapen, në fund të fundit, shteti do të merrte taksa prej tyre, buxheti i shtetit do të rritej, e se këto lekë, të cilat do Zoti të lihen nga burrat e tjerë në kazino, do të shkojnë për investime për qytetarët, veçanërisht në rritjen e “shtresave në nevojë”.

Ose në rastin më të keq pastaj, ishalla makinetat japin një dorë frutash…..

/Descript.al-Paracetamoli/

*kjo është rubrikë satirike, jo pa të vërteta