“Premtimet bëhen për t’u shkelur”

75

Të gjithë ne, seç patëm një si zbrazëtirë interesi, kur si me sustë, i gjithë debati parimor politik i fund-korrikut, u bë “mute”.

Deklaratat, kundërshtitë, “përplasjet” në emër të të ashtuquajturës demokraci, akuzat për shkelje marrëveshjesh e përdhunim konsensusi, pushuan dhe gushti hyri pa “politikë dite” nëpër këmbë.

Natyrisht, shumica prej nesh, mendon se ju ranë veshët rehat, se ku na rref ne, e ku iu rref atyre me kollare.

Por si gjithmonë, hallin e kemi, ku dreqin po fle ai lepuri. E sidomos këto kohë, kur virusi po na shastis nga trutë, e nuk po dimë as si të jetojmë.

Opozita ndaloi së zbrazuri karikatorin e akuzave dhe përbetimet për mbrojtje të demokracisë, e këtë muaj, po “pushon” pak, nëse flasim politikisht.

Ndonjë dalje sporadike aty-këtu, me mesazhe për “rrënimin ekonomik” të vendit, më tepër me Facebook nga shtëpia ose nga shtëpia e pushimit, sesa në zyra, çka bie në sy, është se aksi i akuzave është zhvendosur.

Asnjë fjalë për shkeljen e marrëveshjes së 5 Qershorit, asnjë fjalë për rrezikimin e koalicioneve parazgjedhore, asnjë gërmë për hapjen “skiç” të listave.

Qëndrimet e kryetarit Basha, e me rrathë të të tjerëve nën të, flasin për gjendjen e vështirë ekonomike të vendit, turizmin që përjeton ndoshta ditët më të zeza të dekadës së fundit, keqmenaxhimin e fondeve të tërmetit etj etj.

Strategjia në parim nuk është keq: shqiptarëve sot, u “dhemb” xhepi, më tepër edhe se mushkëria.

“Astari” që griset nga nervozizmi i gishtit që gërmon për të nxjerrë ndonjë kacidhe, është “simptoma” kryesore që paralajmëron përkeqësimin e një situate, tashmë jo të mirë.

Duke parë këtë gjendje, Basha e ka përqendruar në këtë aspekt, diskursin politik, i bindur se kur vjen puna tek portofoli, askujt nuk i bie ndër mend për ndryshimet kushtetuese, për votimin elektronik, apo listat e hapura.

Problemi është se në fund të çdo sentence, kryeopozitari thekson se qeveria demokrate që do të dalë nga zgjedhjet, do të zhbëjë të gjitha ato që janë bërë, e po bëhen keq.

Do të zhbëhen PPP-të, marrëveshjet për veprat madhore, menaxhimi aktual i fondeve të majme të ndërkombëtarëve për pasojat e tërmetit, apo edhe COVID-it.

Vetëm se ajo që ndoshta ende kryeopozitari nuk po e mban në një qoshe të mendjes, është se shkop magjik nuk ka.

Nëse ekonomia është copë, po copë do të jetë, edhe nëse ai vjen në krye të qeverisë.

Nëse biznesi del me humbje të mëdha nga ky vit, nuk ka për ta marrë veten as vitin tjetër.

Nëse pandemia do të shkaktojë edhe “gropa” të tjera ekonomike, pikërisht atë gropën, si zor se do të arrijë ta mbushë qeveria e re.

Prandaj, mbase sa nuk ka ikur vapa me gushtin, mos është më mirë të përtypet pak më gjatë, para se të nisë ligjërimin e premtimeve.

Edhe pse shqiptarët janë mësuar me mashtrimet politike 4 vjeçare, prapë, diçka kanë mësuar nga pësimet.

E në këtë kuptim, nuk kanë nerva të ndërrojnë një të keq me një tjetër jo të mirë, por pranojnë të qëndrojnë me “imunitetin” e fituar nga i keqi i parë.

E pra, për të rritur besimin mes njerëzve, një koeficient racionaliteti nuk do t’u bënte keq.

Në të kundërt, do të vërtetonin për të disatën herë, “teoremën e zhgënjimit”, e cila ka në thelb togfjalëshin alla shqiptar: Premtimet bëhen për t’u shkelur”.