Presidenti Meta dekoron me titullin ‘Mjeshtër i Madh’, drejtuesin e Ansamblit “Bejkë e Bardhë”, Kristo Çipa

82

Presidenti i vendit Ilir Meta ka dekoruar me titullin “Mjeshtër i Madh” drejtuesin e Ansamblit “Bejkë e Bardhë”, njëherësh krijuesin dhe poetin, Kristo Çipa.

Gjithashtu, me titullin “Mjeshtër i Madh”, u dekorua edhe një prej zërave më brilantë të polifonisë shqiptare, e shquara e këngës piluriote, Ermioni Mërkuri.

Në fjalën e saj Ermioni pranoi ta ndajë këtë vlerësim të lartë presidencial me familjen e saj dhe sidomos motrën më të madhe, Katinën, marrësje e këngës monumentale titulluar  “28 mijë yje”, si dhe atë që udhëhoqi grupin dhe këngët e Pilurit, “Nderin e Kombit”, Lefter Çipën.

U vlerësua gjithashtu me medaljen “Naim Frashëri”, kthyesi i grupit aktual “Bejkë e Bardhë”, Theodhori Bala, pasardhës i emrit të madh të këngës piluriote, të paharruarit Qirjako Balla.

Në kuadër të kremtimit të 100-vjetorit të Luftës së Vlorës, kreu i shtetit vlerësoi gjithashtu edhe Spiro Jorgo Koleka (pas vdekjes) me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”, si dhe Kolë Mërkurin (pas vdekjes) e Nase Beni (pas vdekjes) me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”. Me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, Presidenti Meta vlerësoi Ismail Kuçin (pas vdekjes), ndërsa me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, Arif Mëhillaj (pas vdekjes) dhe Avdul Kuçi (pas vdekjes).

Lufta e Vlorës e filluar me Memorandumin e patriotëve vlonjatë, e organizuar nga komiteti “Mbrojtja Kombëtare” dhe e drejtuar nga komisioni i Beunit ja doli të mposhtë pushtuesit dhe me një organizim perfekt, solli çlirimin e Vlorës dhe njëkohësisht e bëri realitet ëndrrën e Ismail Qemalit duke bërë përfundimisht funksional shtetin shqiptar.

Ishin betejat e përleshjet titanike me armikun të atdhetarëve të Vlorës, Tepelenës, Himarës, Gjirokastrës, Beratit, Mallakastrës dhe gjithë trevave të kombit tonë, por dhe diasporën, përfshirë atë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që me mbarimin e Luftës së Parë Botërore, i dhanë fund njëherë e përgjithmonë copëtimit të trojeve shqiptare.

Lavdi heronjve të Luftës së Vlorës, lavdi kapedanëve dhe popullit të Himarës”, – u shpreh Presidenti Meta.