Presidentit serb Vuçiç iu ndalua hyrja në Kosovë, Lajçak i dërgon letër Hotit

60

I dërguari i BE-së për Dialogun me Serbinë, Miroslav Lajçak,  i ka dërguar letër zyrtare Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, në reagim të qëndrimit të ministres së Jashtme për moslejimin e vizitës së Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç në Kosovë.

Lajçak i kujton Hotit respektimin e Marrëveshjes së Lirisë së Lëvizjes dhe se respektimi i saj është i rëndësishëm për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Siç përcaktohet në Marrëveshjen e Lirisë së Lëvizjes, individët e secilës palë janë në gjendje të udhëtojnë lirisht në territorin e tjetrit. Rregullat specifike zbatohen për personat e secilës palë që mbajnë funksione publike, siç përcaktohet në Marrëveshjet për Vizitat Zyrtare. Marrëveshjet për Vizitat Zyrtare, dhe amendamenti i tyre që është një pjesë integrale e kësaj Marrëveshjeje sigurojnë trajtimin dhe ekzekutimin e rregullt të vizitave zyrtare. Këto rregulla, së bashku me Marrëveshjen për Lirinë e Lëvizjes kanë rezultuar shumë të dobishme, dhe ato përbëjnë një arritje në punën midis jush dhe Beogradit, e cila duhet të ruhet”, thuhet në letrën e Lajçak dërguar Hotit.

Lajçak në letër i ka kujtuar Hotit se të dy Marrëveshjet (Liria e Lëvizjes dhe Vizitat), në tërësinë e tyre, përfaqësojnë angazhimet e dialogut që duhet të respektohen si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia.

“Mosrespektimi i këtyre marrëveshjeve dërgon një sinjal shumë negativ për besueshmërinë e Kosovës si palë në procesin e Dialogut. Për më tepër, shkelje të tilla dëmtojnë përpjekjet për të normalizuar marrëdhëniet midis palëve dhe përshkallëzimin e tensioneve në terren; kjo në veçanti ka ndikim në diskutimet e vazhdueshme mbi Marrëveshjen e ardhshme Gjithëpërfshirëse”, thuhet ndër të tjera në letër që e ka publikuar Indeksonline.

Prandaj, Lajçak thotë se mbështetja e Hotit në cilësinë si Kryeministër është thelbësore për të siguruar që institucionet e Kosovës të vazhdojnë të respektojnë zotimet e tyre nën Dialogun; BE pret që Kosova të vazhdojë të angazhohet në arritjen e normalizimit gjithëpërfshirës me Serbinë; kjo përfshin respektimin dhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialog deri më tani.

Më herët, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka thënë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, nuk do të lejohet të hyjë në Kosovë derisa të kërkojë falje për gjenocidin ndaj popullit të Kosovës dhe derisa të dalin para drejtësisë ndërkombëtare përgjegjësit e këtij gjenocidi.