Prokuroria kërkon paraburgim për zyrtarët e arrestuar për mashtrim me subvencionet bujqësore

57

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda-Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion ka kërkuar caktimin e paraburgimit për 11 të arrestuarit nga arrestimet e djeshme.

“Nga bastisja e realizuar më 24 shkurt 2021, në komunën e Prishtinës, Podujevës, Gjilanit, Istogut e Lipjanit, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar personat me inicialet S.Sh., L.S., S.S., H.M., B.N., K.Z., A.U., D.A., P.K., Sh.K., K.B-S., ndërsa personi me inicialet A.N., vetëm është shoqëruar në stacionin policor dhe i njëjti është liruar në procedurë të rregullt. Nga kjo bastisje e realizuar janë konfiskuar: rreth 433,160.00 (katërqind e tridhjetë e tre mijë e njëqind e gjashtëdhjetë) euro, 600 (gjashtëqind) dollar, 200 (dyqind) franga, 275 (dyqind e shtatëdhjetë e pesë) lira turke, 15 (pesëmbëdhjetë) telefona,  8 (tetë) vetura, 1 (një) kompjuter, 5 (pesë) armë, 1 (një) USB dhe 1 (një) vulë”, thuhet në njoftimin për media.

Prokurori i Shtetit, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për personat me inicialet S.Sh., L.S., H.M., B.N., K.Z. dhe A.U., për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421 të KPRK-së dhe “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 të KPRK-së.

Për personat me inicialet D.A., P.K., Sh.K., K.B-S.,  ka paraqitur kërkesë për caktim të paraburgimit, për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Dhënie e ryshfetit”, nga neni 422 të KPRK-së dhe “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 të KPRK-së, si dhe për personin me inicialet S.S., për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprën penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”, nga neni 380 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.​