Rama nuk mundet duke i sharë brekushet

112

Shumëkush nga ata që e ndjekin Ramën nga afër, është habitur deri në lemeri, për aktivitetet e tij të nisura papritur në çdo orë të ditëve të para të këtij muaji. Deputetë, kryebashkiakë në detyrë, e në kërkim, drejtues të lartë të PS, u mblodhën bashkë e veç e veç, për të kuptuar ngutjen e Të madhit të tyre. E i madhi “iu zbraz” rëndshëm, a thua ishte në opozitë, e qeverisja nuk kishte përmbushur asnjë pritshmëri mes njerëzve.

Madje secili prej atyre që morën pjesë në mbledhjet respektive, “kuptoi” se deri në atë moment, kishte bërë një vrimë në ujë, e mund të ndëshkohej me “mospërfillje” partie e qeverie, nëse dështonte të prodhonte vota, edhe më tepër seç kishte prodhuar më parë. Kryebashkiakëve u duhet të kthejnë “me katetiring”, vendet qyl që iu dhanë në ulësen më kryesore të qyteteve. E njëjta që ndodhi edhe me drejtorë e përgjegjës që kanë përfituar duke qenë thjesht njerëz të partisë. Nënndërgjegjja e tyre i lidhi fjalimet e Ramës, me pozicionimin “në rrëshqitje” që ai ndjen karshi qytetarëve.

Ndryshe nuk shpjegohet gjuha “të bëj për një lek”, që ai përdori. E mendjet llogaritëse të secilit prej atyre që ishin në mbledhje, kapën mesazhin se duhen gjetur “forma të tjera” për të siguruar vota e mbështetje. Mbase konsumimi normal i 2 mandateve, apo edhe moslënia “rrugëve” e punëve të mbara e jo të mbara, e do për rilindasit edhe një mandat, por “e përpjeta” për të arritur këtë, është gati “thikë”.

Nga ana tjetër, pretendentët e pushtetit, ende me pushime vere, duke “u këputur në mes” me mesazhe facebook-u, ende qëndrojnë në pozita pritëse, duke ofruar përveç ndonjë alternative të ndrojtur ekonomike, vetëm variantin: Sa i keq është Rama! Por të konstatosh, nuk mjafton. Të kritikosh, shash, të shpikësh epitete e t’i biesh fyellit në të njëjtën vrimë, nuk të sjell në pushtet.

Shqiptarët e lodhur nga “marketimi” që i bëhet një “thesi” me dokrra që hapet 1 herë në 4 vjet, gjithnjë e më tepër me mall të skaduar brenda, duan të dëgjojnë edhe një model tjetër. I çmendur, i dështuar, i lidhur me krimin, i pavërtetë, i veshur keq…etj etj, nuk janë teza politike, apo alternativa qeverisëse. As shpotitja, mllefi, tonet tallëse, apo dyluftuese, nuk e ezaurojnë rolin e një opozite. “Brekushet” e kryeministrit, apo palltoja që nuk i solli fat për të mundësuar paqen në Bjellorusi, apo atletet në ceremonira të mëparshme, nuk ua ulin taksat bizneseve të vogla, nuk ua shtojnë të ardhurat shqiptarëve, nuk ua pakësojnë detyrimet, bizneseve të mëdha, nuk paqtojnë politikën e jashtme, nuk e shtojnë rolin e Shqipërisë në rajon, e as hapin negociatat me BE. Mentaliteti i “qylsit” që pret të thërritet në detyrë, si e keqja më e vogël, është një e keqe po aq e keqe sa “e madhja”. Ndaj për t’u mbushur mendjen në ikje e sipër shqiptarëve, u duhet dhënë një program, një grup propozimesh të dukshme, një ndihmë për të kaluar këtë situatë të pazakontë, apo edhe një mbështetje konkrete, për të mos lejuar ikjen pa kthim koke. Duhen përveshur mëngët, se pasivizmi nuk është strategji politike, ndërsa tempizmi, është ai, i cili nëse përqafohet” në kohë, jep fryte dhe nuk e lejon vetë kohën të shpërdorohet.

/Descript.al/

*kjo është rubrikë satirike, jo pa të vërteta