Rama zbarkon sonte në Athinë/Ja tema e nxehtë që pritet të diskutohet me kryeministrin grek

55

Kryeministri Edi Rama pritet të takohet sot në mbrëmje në Athinë me homologun e tij grek Kyriakos Mitsotakis.

Në këtë takim është parashikuar edhe një darkë pune ku në tryezë janë temat më të nxehta duke nisur që nga tensionet midis Greqisë dhe Turqisë, si dhe e shumëpërfolura, pretendimi grek për t’u zgjeruar me 12 milje në kufirin detar me Shqipërinë.

Megjithëse Rama ndodhet në kryeqytetin grek për të marrë pjesë në konferencën e përvitshme të organizuar nga Qeveria greke dhe revista ‘The Economist’, temat e lartpërmendura mbeten kryefjala e këtij takimi, veçanërisht pas takimit të kreut të qeverisë shqiptare me presidentin turk Erdogan, të cilin Rama e cilësoi si mik të çmuar.

Nga ana tjetër, janë edhe raportet midis dy vendeve, ku Greqia ka rihapur çështjen e Detit për përcaktimin e kufijve detarë dhe Zonave Ekonomike Ekskluzive.

Kryeministri Rama e konsideroi disa ditë më parë si një të drejtë që Greqisë i njihet nga Konventat ndërkombëtare, por nga ana tjetër sipas tij, Shqipëria nuk po fal det.

Pas rrëzimit nga ana e Gjykatës Kushtetuese të marrëveshjes së firmosur në vitin 2009, Tirana dhe Athina, rinisën bisedimet dy vjet më parë, si pjesë e një pakete çështjesh të mbetura pezull mes dy vendeve.

Megjithatë, çështja e detit do të jetë temë e bisedimeve të mbrëmjes së sotme midis dy kryeministrave.

Vizita e kryeministrit Rama në Athinë vjen pas asaj me presidentin turk Tayp Erdogan, vendi i të cilit është përfshirë në një përplasje të hapur me Greqinë, pikërisht për ujërat detare që dy vendet ndajnë me njëri tjetrin./Descript.al/