“Ramush dhe Daut Haradinaj bëjnë për spital punëtorin e tyre”

245

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe vëllai i tij, deputeti Daut Haradinaj, para rreth tre muajve janë denoncuar në polici për “rrahjen e një punëtori të tyre”.

Në dokumentet të cilat i ka siguruar KOHA, Haradinajt i ka denoncuar në Polici një mjeke kujdestare, e cila i ka dhënë ndihmë mjekësore një personi me lëndime trupore, të cilat, sipas tij, ishin pasojë e rrahjes nga vëllezërit Haradinaj.

Rastin e ka konfirmuar Policia e Kosovës. Policia ka thënë se e kanë intervistuar ankuesin dhe se në konsultim me prokurorin është iniciuar rast për veprën “Lëndim i lehtë trupor”.

Por pas dy javësh ankuesi ka shkuar në stacion policor dhe ka kërkuar që rasti të mbyllet. Gati 3 muaj prejse ka ndodhur ky rast, siç ka mësuar KOHA, vëllezërit Haradinaj ende nuk janë intervistuar në asnjë cilësi.

Sipas dokumenteve, dyshohet se e tëra ka nisur më datë 22 qershor 2020, pak minuta para orës 15:00, kur një person ka kërkuar ndihmë në Qendrën e Mjekësisë Familjare në afërsi të ndërtesës së Telekomit, në lagjen “Dardania” në Prishtinë, jo shumë larg nga selia e AAK-së.

Pacienti kur ka kërkuar shërbime shëndetësore sipas shkresës, ka pasur lëndime në trup dhe në sy.

Mjekja e cila e ka kontrolluar pacientin e ka njoftuar Policinë menjëherë pas ekzaminimit.

Në raportin e Policisë së Kosovës, të cilin e posedon gazeta, ajo ka përmendur emrat e vëllezërve Haradinaj si shkaktarë të lëndimeve.

Nuk dihet se cila ka qenë arsyeja e rrahjes së tij nga vëllezërit Haradinaj, ndërsa tërheqja e padisë mendohet se është bërë si pasojë e kërcënimeve. /koha