Raporti i UNFPA-së/Rriten vdekjet foshnjore, vdekjet nga sëmundjet kronike dhe vetëvrasjet

89

Pavarësisht hapave progresivë të bëra në vite për rritjen e cilësisë së kujdesit shëndetësor, aksesi në sistemin e shëndetësisë dhe edukimin për shtatzënie të shëndetshme, vdekjet neonatale dhe ato të lidhura me lindjen janë ende shqetësuese.

Nëse në vitin 2010 problemet neonatale, apo të lidhura me lindjen, shkaktuan të paktën 46.3% të vdekjeve foshnjore, në vitin 2018 probleme të tilla ishin shkaktar të 69.2% vdekjeve foshnjore.  Këto të dhëna i referohen një analize të thelluar të realizuar nga UNFPA në Shqipëri për ndryshimet demografike të dekadave të fundit në vendin tonë me qëllim që qeveritë dhe ofruesit e shërbimeve të kujdesit shëndetësor jo shtetëror të ofrojnë kujdes shëndetësor më cilësor tek gratë shtatzëna dhe nënat.

Raporti krahasimisht i lartë i vdekjeve neonatale mes vdekjeve foshnjore nënvizon nevojën urgjente të forcimit të shërbimeve të kujdesit perinatal, si në nivel kombëtar, por sidomos në zonat më rurale të vendit, për të adresuar problemet në lindje të kategorive më vulnerabël dhe grupeve të margjinalizuara apo minoriteteve. Niveli i mortalitetit nga sëmundjet kronike në Shqipëri është pothuaj dyfishuar gjatë tre dekadave të fundit (nga rreth 370 në vitin 1990 dhe në 733 në vitin 2017).

Ndërsa për sa i takon vdekshmërisë së të rriturve, Shqipëria vijon të përjetojë nivele të ulëta të vdekshmërisë tek të rriturit krahasuar me vende të tjera të Ballkanit Perëndimor. Efekti i migrimit, fertilitetit dhe vdekshmërisë në popullatë kërcënojnë vetëvrasjet e sidomos jetën e adoleshentëve dhe të rinjve; sëmundjet jo të trasmetueshme janë kërcënimi kryesor për jetën e të rriturve dhe të moshuarve.

Gjatë 30 viteve të fundit, nivelet e vdekshmërisë foshnjore dhe fëminore kanë vijuar të bien në Shqipëri, një prirje në linjë me përmirësimin shkallë-shkallë të mirëqenies së popullatës dhe kujdesit shëndetësor.

Dr. Arjan Gjonca, Ekspert i Demografisë në London School of Economics, një nga autorët e analizës gjatë konferencës online të prezantimit të gjetjeve e vuri theksin në nevojën që ka vendi për të ndihmuar të rinjtë përmes politikave lehtësuese me qëllim si aseti më i rëndësishëm i shoqërisë të mos iki jashtë vendit por të japë kontributin këtu.  Gjithashtu Dr.Gjonca thekson se fokusi tek të moshuarit duhet të përbëjë një agjendë të re për kujdesin shëndetësor dhe social.

Raporti nuk lë pas vëmendjen ndaj të drejtave të njeriut dhe të drejtave të shëndetit riprodhues. Duke adresuar rregullimin e abortit, ndalimin e abortit për shkak të gjinisë, si edhe duke fuqizuar gruan për të marrë vendime vetë, ky raport nënvizon rëndësinë e të drejtave të shëndetit riprodhues si pjesë e të drejtave të njeriut.

Dr. Genc Burazeri, Ekspert i Shëndetit Publik një tjetër autor i këtij raporti sugjeron qeverinë për rritje të qëndrueshme të financimit në sektorin shëndetësor si parakusht themelor për të garantuar mbulesë shëndetësore universale.

Fakt është që raporti do të ndihmojë politikbërjen të adresojë më mirë investimet dhe ndërhyrjet në sistemin shëndetësor në të ardhshme.

Ndërsa, Elsona Agolli, Analiste Programi për Çështjet Gjinore dhe Popullsinë në zyrën e UNFPA në Shqipëri u shpreh se UNFPA në Shqipëri shpreson që kjo analizë e thelluar do të shërbejë si një bazë për sektorin publik shtetëror dhe atë joqeveritar për të përmirësuar më tej politikat që lidhen me shëndetin dhe demografinë e popullit shqiptar.

Referuar gjetjeve të raportit për ndryshimet dhe sfidat demografike të Shqipërisë, UNFPA në Shqipëri bën disa sugjerime për fokusin që duhet të kënë nënat dhe fëmijët. Sipas UNFPA në Shqipëri duhet një plan për të përmirësuar vdekshmërinë neonatale dhe perinatale

“Shqipëria nuk duhet të shqetësohet thjesht për numrat e popullatës. Politikat më të fundit pronataliste, të cilat inkurajojnë lindjet, nuk mund të jenë përgjigjia e vetme, ndërkohë që nuk japin zgjidhje afatgjata.

Lidhur me stanjacionin e dekadës së fundit në nivelin e vdekshmërisë foshnjore dhe fëminore, është e këshillueshme të ndiqet sërish një qasje e integruar dhe multisektoriale. Ajo duhet të fokusohet jo vetëm në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve në maternitete, përfshirë pajisjet dhe personelin, të cilat janë të rëndësishme për të shpëtuar jetët e foshnjave të sapolindura, por fokusi duhet të përfshijë edhe kujdesin për nënat gjatë shtatëzanisë, ç’ka është thelbësore për mbrojtjen e shëndetit si të nënës, ashtu edhe të foshnjes”- thuhet në analizën e publikuar këtë të premte.