REAGIM/ Ministria e Financave i përgjigjet akuzave të opozitës

17

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, duke marrë shkas nga disa deklarata, të cilat keqinformojnë publikun mbi ecurinë e indikatorëve kryesorë të ekonomisë, sqaron si më poshtë:

– Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, kredia për ekonominë është rritur në vlerë absolute në periudhën Shtator 2013 – Mars 2020, me 47.5 miliardë lekë ose 9%.
– Prej vitit 2015, Qeveria Shqiptare, së bashku me Bankën e Shqipërisë, ka marrë masa gjatë qeverisjes për të siguruar që kredidhënia të bazohet në pasqyrat financiare të referuara në Administratën Tatimore, duke nxitur formalizimin e ekonomisë. Më tej, Banka e Shqipërisë dhe Qeveria Shqiptare ndërmorën reformën për reduktimin e kredive të këqija në ekonomi.

– Si rezultat i këtyre reformave, niveli i kredive me probleme ndaj totalit të kredive në fund të muajit gusht 2020 zbriti në 8.1% nga 24.2% qe ishte në Shtator 2013.
Interesi i Qeverisë për të nxitur kredidhënien për bizneset ka qenë i lartë edhe gjatë pandemisë. Për këtë arsye janë injektuar në ekonomi 2 Garanci Sovrane në shumën e 26 miliardë lekë, për t’i ardhur në ndihmë sipërmarrjes për paga dhe kapital qarkullues apo investime.

– Për rrjedhojë, stoku i kredive akorduar bizneseve jo-financiare për muajin shtator 2020 shënoi një rritje me 5.1%.

Sipas Bankës së Shqipërisë, në këtë tremujor u vërejt një kërkesë e shtuar për kredi nga bizneset e vogla e të mesme, si edhe për mbulimin e nevojave për likuiditet. Në tremujorin e fundit të vitit bankat presin zgjerim të kërkesës për kredi si nga biznesi i vogël e i mesëm, ashtu edhe nga ai i madh, me një rritje të pritur të kërkesës për kreditë për likuiditete.

Kreditë e këqija kanë qenë një eksperiencë e hidhur për ekonominë shqiptare gjatë qeverisjes së shkuar, duke cenuar stabilitetin e sektorit bankar dhe detyruar rregullatorët të ndërhyjnë vonë përmes klasifikimit si kredi të humbura, të kredive të pakthyera prej më tepër se 3 viteve.

Angazhimi i Qeverisë Shqiptare për mbështetjen financiare dhe sociale gjatë pandemisë ka qenë maksimal, duke aktivizuar dy paketa të mbështetjes me ndikim të drejtpërdrejtë te qytetarët dhe bizneset.
Paketat e mbështetjes financiare dhe sociale gjatë pandemisë kanë disbursuar 12.9 Miliardë lekë për 299 mijë qytetarë.

Ky angazhim është vijimësi e politikave sociale të Qeverisë, ku:

– Gjatë periudhës 2009-2013, numri mesatar i bizneseve të regjistruar ishte 14,121, ndërsa në 2014-2019, numri mesatar i bizneseve të regjistruara ishte 20,785.
– Pagesa e papunësisë është dyfishuar, nga 6,850 lekë në vitin 2013, në 13,000 lekë në vitin 2019.

Mbështetja për shtresat në nevojë, reflektohet edhe në Buxhetin e miratuar në Parlament në datën 16 Nëntor, ku në vitin 2021 alokohen 2.5 miliardë lekë për pagesat e papunësisë dhe ndihmën ekonomike.

Për sa më sipër, Qeveria Shqiptare dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë, mbeten të angazhuar të mbështesin qytetarët dhe sipërmarrjen, duke u fokusuar në mënyrë të veçantë në mbështetjen për faktorët, që nxisin rritjen dhe produktivitetin dhe në mbështetjen e drejtpërdrejt për kategoritë më vulnerabël.