Policia e Lezhës ka bërë me dije se ditën e djeshme janë zhvilluar aksione të befasishme në disa ambiente për kapjen e personave në kërkim, atyre që mbajnë armë zjarri dhe lëndë narkotike.
Blutë e këtij qyteti sqarojnë se kontrollet janë zhvilluar nga Forcat Speciale Renea, Forca e Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit , DVP Lezhë dhe Komisariati i Policisë Kurbin.
Gjatë kontrolleve është vënë në pranga një 30 vjeçar, poseduesi i armës së zjarrit dhe targave të vjedhura, i cili më parë ka qenë i skeduar si person me rekorde kriminale.
Njoftimi i policisë:
Në zbatim të planit të masave për mbajtjen nën kontroll të situatës kriminale, kapjen e personave në kërkim, atyre që qarkullojnë me armë zjarri apo lëndë narkotike, si dhe bazuar në informacionet e ardhura nga qytetarët në ‘Komisariatin Dixhital’, Forcat Speciale Renea, Forca e Posaçme Operacionale në DPPSH, DVP Lezhë dhe Komisariati i Policisë Kurbin, ushtruan kontrolle të befasishme në disa lokale dhe ambiente në Milot, Kurbin e Lezhë.
Si rezultat i kontrolleve , në Fushë-Milot, në ambientet e jashtme të një kompleksi u gjet dhe u bllokua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë “GLOCK”, me një krehër me 14 fishekë, që i përkiste shtetasit C. K., 30 vjeç, të cilit gjatë kontrollit fizik në xhepin e xhupit iu gjet një krehër i markës “GLOCK”, me 16 fishekë të kalibrit 9 mm pa leje.
Gjithashtu ky shtetas dyshohet se është autori i vjedhjes se targave të shpallura në kërkim nga DVP Shkodër të vjedhura më datë 19.09.2019, të cilat u gjetën brenda ambienteve rrethuese të objektit.
Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i 30-vjeçarit C. K., për veprat penale “Armëmbajtja pa leje ” dhe “Vjedhja” dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme.
Kontrollet kanë vijuar edhe në disa ambiente të tjera në qarkun e Lezhës, ku gjatë kontrolleve janë shoqëruar për verifikim disa persona me precedent të mëparshëm penal.
Policia e Shtetit falënderon qytetarët për mbështetjen dhe besimin duke denoncuar në Komisariatin Dixhital dhe në numrin 112, çdo rast të paligjshmërisë , duke ju siguruar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm nga strukturat e Policisë së Shtetit.
©Copyright Descript.al
Ky artikull është i shkruar nga gazetarët e Descript.al, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Descript.al dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.