Republikanët kërkojnë të shtyhet gjyqi ndaj ish-Presidentit Donald Trump

52

Republikanët në Senatin amerikan i kanë kërkuar demokratëve të shtyjnë fillimin e gjyqit kundër ish-Presidentit Donald Trump deri në mes të shkurtit, raporton BBC.

Ata argumentojnë se duhet t’i jepet kohë avokatëve të tij për të përgatitur një mbrojtje kundër akuzave për nxitje të protestës së dhunshme.

Kjo lëvizje erdhi pasi demokratët më herët gjatë ditës thanë se Dhoma e Përfaqësuesve mund të dërgonte që të premten në Senat akuzat, që u miratuan javën e kaluar në përgjigje të sulmit vdekjeprurës në Kapitol nga mbështetësit e ish-presidentit Trump.

Ish-presidenti republikan Donald Trump u largua nga zyra të mërkurën dhe udhëtoi për në vendpushimin e tij në Florida, disa orë para se të betohej demokrati Joe Biden, duke shmangur ceremoninë e inaugurimit të tij.

Trump është i vetmi president amerikan ndaj të cilit janë ngritur akuza dy herë, dhe gjyqi i tij në Senat do të jetë i vetmi që ka ndodhur ndonjëherë pasi një president është larguar nga detyra.

Dhoma e Përfaqësuesve votoi javën e kaluar për ngritjen e akuzave ndaj Trump për nxitjen e sulmit vdekjeprurës të 6 janarit në Kapitol, një përpjekje e dështuar për të penguar certifikimin zyrtar të fitores së Biden nga Kongresi.

Demokratët kanë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, dhe të mërkurën morën një epërsi të ngushtë në Senat, por të paktën dy të tretat e votave të Senatit me 100 anëtarë janë të nevojshme për të miratuar akuzat kundër Donald Trump. Do të nevojitej një votim i veçantë për ta bllokuar atë të kandidojë përsëri për një post zyrtar.