Rreziku nga koncesionet afatgjata/Arben Malaj: Mund të kthehen në barrë për ekonominë

97

Buxheti i shtetit parashikon dhe 6 kontrata të tjera koncesionare që prekin një vlerë prej 217 miliardë lekësh.

Për ekspertin Arben Malaj kjo formë  rrezikon të kthehet në një barrë të rëndë për ekonominë shqiptare.

“Kostot që ato mund të shkaktojnë në zhvillimin ekonomik me zvarritjet e tyre, kostot që mund të krijojnë me mungesën e efiçensës së tyre në buxhetin e shtetit bëhen një barrë e rëndë pastaj për ekonominë. Kontratat dhe koncesionet duhet të paraprihen nga studuime të thelluara për të përcaktuar kush janë prioritare dhe mbi të gjitha duhen mbikëqyrur me shumë kujdes,” tha Arben Malaj.

Por dhe premtimet për anulimin e koncesioneve apo tenderave të konsideruara të dyshimta përbëjnë një rrezik më vete. Duke marrë shkas nga penalitetet që gjykatat ndërkombëtare kanë dhënë ndaj Shqipërisë shkëputja e marrëdhënies për Malajn duhet bërë vetëm në zbatim të ligjit.

“Duhen skanuar dhe në rastet që vërtetohet shkalla e rritjes artificiale të kostove ose elementët korruptivë ajo mund të jetë e vetmja mënyrë ligjore për t’i anuluar,” u shpreh ai.

Një tjetër dëm potencial që vjen nga formula partneritet publik privat është eliminimi i konkurrencës.

“Biznesi shqiptar, por dhe biznsei i huaj ka ankesa për mundësitë e kufizuara për të rritur investimet e tyre për shkak të mungesës së konkurrencës dhe që konstatohet lehtësisht ,” shprehet Malaj për Ora News.

Buxheti i shtetit pritet të paguajë 14.5 miliardë lekë këtë vit për 13 kontrata koncesionare aktive.