Rreziqet qe vijnë nga euforia e aeroporteve

108

Qeveria është përfshirë së fundmi nga një eufori koncesionesh. Pas PPP-ve në rrugë, radha është e aeroporteve. Së fundmi u shpall fituesi për aeroportin e Vlorës dhe u njoftua se gara për Sarandën do të hapet shpejt. Kukësi është ende në proces rehabilitimi. Efektet pozitive që lakohen për këto projekte, zbehen tërësisht nga rreziqet në horizont, në afatgjatë. Së pari është rreziku i financimit të tyre nëpërmjet garancive nga paratë e taksapaguesve. Së dyti, rreziku që të përfundojnë në aeroporte sezonalë, duke mos garantuar qëndrueshmëri ekonomike. Së treti, ambientalistët, të paktën për Vlorën, theksojnë kërcënimin që i bëhet biodiversitetit në lagunën Nartë-Vlorë dhe cenimin e sigurisë së fluturimeve nga shpendët shtegtarë.

Në kulmin e pandemisë dhe nën ethet e fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit, aeroportet kanë qenë një temë me vëmendje të veçantë për qeverinë. Pas zvarritjeve të vazhdueshme të procedurës për aeroportin e Vlorës, për të cilin, jo pak herë u lakua se kishte interes shumë të lartë, vetëm dy kompani paraqitën oferta, ku njëra nuk përmbushte asnjë kriter. Kompania tjetër, një konsorcium mes Mabco Construction (Mabetex Group – 50% të aksioneve), YDA – Group (48%) dhe 2A Group SH.P.K (2%) ofroi 104 milionë euro, duke u shpallur fitues.

Por nuk është vetëm Vlora, aeroporti i Kukësit, i cili është dhënë me koncesion 35-vjeçar, u bë në disa raste “podium” ku u nënvizuan premtimet e mbajtura dhe si kreu i qeverisë Rama, ashtu edhe ministrja Balluku thanë se në prill do të nisin fluturimet. Për ta ilustruar këtë konkretisht, nuk munguan edhe demonstrime fluturimi, kritikuar jo pak nga njohësit e sektorit.

Entuziazmi i qeverisë me aeroportet kulmoi së fundmi me aeroportin e Sarandës. Jo se projekti nuk ishte lakuar më herët, por ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës deklaroi se pritej që shumë shpejt të shpallej gara. Sipas saj, në momentin që nënshkruhej kontrata për Vlorën do të nisin procedurat për aeroportin e Sarandës dhe për ta çuar para si projekt.

Ende mbetet për t’u parë sesi do të jetë skema e aeroportit të Sarandës, pasi Kukësi dhe Vlora janë me trafik të garantuar. Kjo do të thotë se të ardhurat e munguara ndaj kompanive, në rast se nuk arrihet trafiku, do të paguhen nga buxheti me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Aeroporti i Vlorës, qeveria garanton 138 milionë euro për kompaninë

Ndërtimi i një aeroporti në Jug të vendit padyshim që ka anët e mira, ashtu sikurse mbart edhe rreziqe. Ervin Minarolli, ish-drejtor i Autoritetit të Aviacionit Civil, shprehet se nëse projekti do të ishte më i vogël, do ta kthente më shpejt investimin e për rrjedhojë, do të kishte më pak ndikim në buxhet.

“Në qoftë se në Vlorë do të zhvillohej një aeroport modest, sigurisht që vlera e investimit do të ishte shumë e vogël dhe projekti më i justifikuar. Në çdo rast, duhet të kemi parasysh që pavarësisht dëshirës, aeroporti i Vlorës, jashtë sezonit veror, nuk mund ta konkurrojë Aeroportin e Tiranës, duke pasur parasysh dhe zonën e mbulimit për secilin prej tyre. Për më tepër që qeveria premton ulje me 25% të tarifave aeroportuale, gjë që e vështirëson dhe më shumë kthimin në kohë të investimit” – pohon Minarolli.

Vetë qeveria, në dokumentet e saj, pranon se një aeroport që nis nga green fjeld, pra ndërtohet nga e para dhe nuk ka të dhëna të sakta mbi pritshmërinë e trafikut, mbart rreziqe të larta. Mungesa e sigurisë për trafikun bëri të tërhiqej edhe kompania turke, e cila shfaqi interes në fazat e para kur u lakua aeroporti i Vlorës, në vitin 2018.

“Referuar të ardhurave totale të parashikuara në skenarët e studimit, vënë në dispozicion të Komisionit, shprehemi se ky projekt mbart risqe të larta për arsye se është një aeroport, i cili ndërtohet nga fillimi në një zonë të gjelbër (green field), dhe është e pamundur të parashikohet me saktësi trafiku dhe nuk ka një bazë të dhënash. Gjithashtu, sipas parashikimit të konsulentit, të kontraktuar nga Autoriteti Kontraktor për kryerjen e studimit, vërehet një normë e ulët kthimi në rastin bazë, e cila arrin 9.23%.

Në këto kushte, në rast se do të vendoset të vazhdohet me zhvillimin e këtij projekti, atëherë autoriteti kontraktues do të marrë masat për të garantuar të ardhurat e parashikuara në skenarin bazë, pra të ardhurat e munguara, midis nivelit faktik dhe atij të parashikuar në skenarin bazë për 10 vitet e para të operimit” – thuhet në dokumentet e hartuara nga konsulenti për këtë projekt.

Referuar tabelës, parashikohet që të ardhurat e garantuara në skenarin bazë për 10 vitet e para të operimit të jenë 9.6 milionë euro në vitin e katërt, 10.3 milionë në vitin e pestë, 11.2 milionë për të gjashtin, 12.1 milionë për të shtatin e kështu me radhë, me një kulmim prej 18.6 milionësh në vitin e trembëdhjetë nga nënshkrimi i kontratës. Në total, të ardhurat e garantuara duhet të jenë rreth 138 milionë euro.

Në rast të tejkalimit të të ardhurave të parashikuara në rastin optimist, atëherë të ardhurat mbi nivelin e parashikuar do të ndahen në raport 50:50 me shtetin.

Këto parashikime janë bërë përpara periudhës së pandemisë, ndërsa nuk ka vlerësim se si do të ndikojë situata aktuale në trafikun e pasagjerëve./ MONITOR