Sherri me shqiptarët në Mykonos/ Kapiteni i Manchester United rrëfen tmerrin: Kujtova se po më rrëmbenin!

158

Harry Maguire u bë personazh në Greqi pas një sherri, madje edhe u dënua me gati dy vite burg me kusht në ishullin Siros në Greqi.

Akuzat për të ishin për dhunë ndaj forcave të rendit, fyerje dhe tentativë për të dhënë ryshfet.

Avokatët e kapitenit të Manchester United do të vijojnë betejën ligjore, pasi pretendojnë se asgjë që thuhet nuk është e vërtetë.

“Nuk e ndjej të kërkoj falje, për sa kohë nuk mendoj se kam bërë diçka gabim. Ndoshta vetëm klubit dhe tifozëve të Manchester United”, shprehet Maguire, i cili pretendon se dy persona (në media është raportuar se janë shqiptarë) iu afruan motrës së tij dhe më pas ka parë që asaj po i binte të fikët.

Gjykata i ka hedhur poshtë pretendimet, ndërkohë që Maguire është rrëfyer në një intervistë të dhënë për BBC.

GJYQI

“Ishte e tmerrshme, një kthesë e papritur. na dhanë një dokument të madh, i gjithi në greqisht. As të flas me avokatin tim nuk kam pasur mundësi. Ishim të bindur se gjyqi do të shtyhej, që të na jepnin më shumë kohë për t’u përgatitur, për të marrë dëshmitarët dhe për të paraqitur provat që kemi. Gjithçka ndodhi shumë shpejt, nuk prisnim që gjyqi të bëhej. Kam besim te ligji grek. Rregulli i rigjykimit do të na japë më shumë kohë për t’u përgatitur, për të mbledhur prova dhe për të lejuar dëshmitarët në gjykatë. Kam besim se e vërteta do të tregohet dhe do të dalë në dritë”.

GODITJA E POLICIT

“Jam i sigurt që në deklaratën e tyre është shkruar se dëmtova shpinën dhe krahun e një polici. Unë e kisha dorën lart, isha në pranga kur u përpoqa të iki. Nuk e kuptova se ishin policë dhe mendova se po më rrëmbenin. Nuk mendoj se e lëndova. Thënë kështu, nuk mendoj se e lëndova më shumë se sa më lënduan”.

“A E DINI KUSH JAM UNË”

“Sigurisht që nuk e kam thënë. E dija që ata më njihnin. Pesë minuta para se të më rrihnin më thanë se karriera ime ka marrë fund. Kështu që e dija që e dinin se kush jam. Sapo pashë atë deklaratë… ishte thjesht qesharake.  Padyshim që nuk ka pasur tentativë për ryshfet. Kur ishim në hyrje të burgut, ishim aq të shqetësuar sa po qanim. Ende nuk e besonim se ku ishim”.

PËRBALLIMI I SITUATËS

“Nuk mund të them që nuk kisha pirë gjithë ditën. Kisha pirë disa gota. Kushdo që më njeh dhe që ka qenë me mua e di se si jam pas disa gotash. Unë jam gjithmonë i vetëdijshëm. Gjithmonë e kam veten në kontroll. Pa asnjë diskutim nuk isha i dehur. Thjesht u gjenda në një situatë të keqe. Askush nuk e di çfarë kaluam atë natë. Ose e besoni, ose jo. Tregimet që dalin nga gjyqi janë aq larg nga e vërteta dhe është e pabesueshme. Karakteri dhe personaliteti im do të mbeten të njëjtë. Jam i fortë mendërisht dhe do e kaloj këtë. E kam ndërgjegjen e pastër dhe e di mirë se çfarë ndodhi atë natë”, mbyll Maguire.