Shqiptarët thirrje kundër dhunës në SHBA, ambasada pritet të dalë me deklaratë

278

Aktet e dhunës së protestuesve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë dënuar ashpër nga disa politikanë e analistë në vendin tonë.

Thirrja e tyre “ushtoi” fuqishëm në mijëra kilometrat që SHBA me vendin tonë, duke përshkuar oqeane, aeroporte, masa anticovid, e duke mbërritur e fortë dhe e qartë, aty ku sot po cënohen parimet dhe institucionet kushtetuese.

Sipas analistëve e politikanëve në Tiranë (përfshi edhe ish ministrin e Brendshëm Lleshaj), ata protestues të papërgjegjshëm, që nuk duan të njohin verdiktin e popullit amerikan, mes të cilëve nuk përjashtohet mundësia të ketë edhe shqiptarë trampistë, nuk përfaqësojnë vullnetin e shumicës, por janë një tufë “rrugecërish” të papunë, jo edhe aq të mitur, që sulmojnë demokracinë. Ndërsa disa nga ata analistë, që dënuan me zë të lartë, deri në stërkala pështyme, atë që ndodhi në Tiranë pas vrasjes së të riut Rasha, këto ditë tundën kokën qortueshëm, për aktet vandaliste, të ndodhura në godinën simbol të demokracisë, në Capitol Hill.

Nga ana tjetër, pritet që ambasada shqiptare në SHBA, të dalë me një thirrje apel për të gjithë bashkatdhetarët tanë që jetojnë atje, që të shmangin daljet në zonën rreth qendrës, pasi mund të përfshihen në akte te dhunshme. Në bazë të parimit të reciprocitetit, ambasada jonë duhet të dalë edhe me një deklaratë të fortë, qoftë edhe në twitter, ku të dënojë dhunën, si edhe t’u bëjë thirrje organizatorëve, të mos shkelin parimet e demokracisë.

Nëse këto nuk ndodhin, demokracia botërore është në rrezik, pasi “virusi” i mospranimit, mund të na mbërrijë para pramverës edhe tek ne.

/Descript.al-Paracetamoli/

*Kjo është rubrikë satirike, jo pa të vërteta