Shtatori i ri po afron, në nderim të kujtimit të arsimtarëve fierakë!  

113

Nga Entela Binjaku

Që në krye të këtyre rreshtave pranoj se ideja për këtë shkrim ishte e mamasë sime, Marie Çaçi Binjakut.

“Do të bësh një shkrim homazh për arsimtarët fierakë, meqë nuk po kujtohet njeri?”, më tha ajo një nga këto ditë.

Për fatin tim të mirë, e kam pasur edhe mësuesen e parë ndaj dhe kërkesa për t´u ulur e për të shkruar merrte një ngarkesë tjetër.

Nuk e fsheh vështirësinë që provova, por edhe ngazëllimin për të shkruar disa rreshta për arsimtarët e qytetit tim.

Nga puna dhe pasioni i tyre lindën si tek unë, ashtu edhe tek shumë të tjerë, bazat për të gjithë çfarë pasoi më vonë: vitet e gjata të lidhura me edukimin dhe arsimin.

Për të ma bërë punën më të thjeshtë, mamaja më ndihmoi me disa emra zonjash dhe zotërinjsh, që të gjithë arsimtarë fierakë, të ndarë tashmë nga jeta.

Duke filluar nga drejtori i shkollës ku kishte studiuar ajo, Nasi Boçova e më pas pjesëtarët e tjerë të kësaj familjeje: vëllezërit Piro dhe Llaqi si dhe bashkëshortja e Piros, Lefteria, më pas mësuesi Myfit Varfi, “Mësuesja e merituar” Vjollca Omari, Nasi Rrapi që i kthyer nga Amerika u nda nga jeta në atdhe, mësuesja e njohur e gjuhë-letërsisë e “Gjimnazit të vjetër” Ariste Pogaçe,  Katerina Plaku etj., për të vijuar me emrat që tek unë janë skalitur si të mëdhenjtë e arsimit bashkëkohor fierak: Sokrat Plaku, Kristaq Shtëmbari, Thoma Binjaku etj.

Të gjithë këta arsimtarë,  të angazhuar në ngritjen kulturore të brezave të tërë, lanë pas një energji njerëzore të mbrujtur tek vajzat e djemtë e dikurshëm fierakë e që sot përcjellin më tej mësimet e marra dhe dijen e përftuar.

Kur shkolla është në prag të nisjes, është detyrim qytetar të kujtosh me respekt atë plejadë të tërë arsimtarësh të shquar që përgatitën në vite një numër të madh të rinjsh e të rejash duke i dhënë edhe vendit një pasuri të tërë burimesh njerëzore.

Tek ato burime këto personalitete, të një lartësie tjetër profesionale, ngjizën dashurinë për dijen dhe domosdoshmërinë për ngritje kulturore.

Për të filluar shkrimin punën e nisa nga kërkimi digjital.

Në 20 vitet e fundit motorët e kërkimit në internet na kanë ardhur shpesh në ndihmë dhe janë kthyer në burimet e para ku mendja shkon.

Duke kërkuar më doli një informacion që mbante datën 1 shtator 2018.

Në të shkruhej: Homazh “Mësuesit të Merituar“ Thoma Binjaku dhe sillte në kujtesë një aktivitet të mbajtur me rastin e “Kongresit të Manastirit“. Aktiviteti që u zhvillua nga mësuesja e përkushtuar zj. Rainita Pupi kishte të ftuar të veçantë këtë ikonë të arsimit fierak. Respekt dhe nderim nga nxënësit, stafi pedagogjik dhe prindërit e kësaj shkolle”, mbyllej informacioni.  

E trishtë të mendoje që dv vjet më vonë, edhe organizatorja e këtij aktiviteti, nëndrejtoresha e kësaj shkolle ku edhe vetë Thomai kishte qenë drejtues, u nda nga jeta.

Më tej në këtë kërkim zbulova se emri i Sokrat Plakut „Qytetarit të nderit“ ishte jetësuar në një nga rrugët e qytetit.

Me vendim të Këshillit të Bashkisë së Fierit prej vitit 2009 bashkëqytetarët fierakë kanë mundësinë të mos e harrojnë emrin e këtij personaliteti të shquar, ndër njerëzit më të kulturuar që qyteti i Fierit ka njohur.

Sërish duke hulumtuar mbërrrita tek Shoqata Atdhetare Kulturore “Myzeqeja” dhe tek emri i themeluesit dhe Kryetarit të parë të saj “Mësuesit të Popullit” Kristaq Shtëmbari, i cilësuar “Nderi i Myzeqesë”.

Tek këto emra do të kisha shtuar pa ngurrim edhe mësuesen time të 8-vjecares në shkollën “Mark Dashi” Arsino Petanin, një guximtare në arsim, e paepur dhe që me një disiplinë e vullnet të hekurt na përcolli përjetësisht dashurinë për veçantinë e gjuhës sonë.

Këta emra dhe të tjerë që me siguri ndodhen në mendjet e shumë prej vajzave dhe djemve fierakë, ish nxënës të shkollave fierake, më erdhën në mendje këto ditë ndërsa ulesha për të shkruar një reflektim të tillë.

Puna e madhe që mësuesit fierakë kanë bërë për arsimin kombëtar ka lënë gjurmë në të gjitha aspektet e jetës së vendit.

Edhe sot një pjesë e madhe e elitës bashkëkohore profesionale kombëtare vjen nga ky qytet dhe ka marrë bazat e para të dijes pikërisht nga shkollat fierake.

Shkolla është ai institucion ku kryhet arsimimi dhe edukimi dhe ku formohet infrastruktura mendore e një shoqërie.

Kur thua shkollë ke folur për fushat më të rëndësishme të aktivitetit që kryen një shoqëri e që ka ndikime të thella në të gjithë sektorët e tjerë, ekonomikë dhe shoqërorë.

Në shkollë kryhet formimi i personalitetit, i karakterit, nxënësit zhvillohen jo vetëm si qenie shoqërore, por edhe si qytetarë të edukuar.

Në shkollë përcillen njohuritë, informacionet, formohen mjeshtëritë dhe aftësitë e duhura për tregun e punës. Në shkollë prodhohet e gjithë energjia njerëzore e një kombi.

Ndaj dhe kontributi i aktorëve kryesorë të shkollës është kaq i rëndësishëm dhe delikat.

Kur kanë mbetur pak ditë nga nisja e vitit të ri shkollor, respekti dhe mirënjohja për të gjithë ata mësues të talentuar dhe punëtorë, të ditur dhe plot pasion, të palodhur dhe të sakrificës nuk duhet të mungojë.

Edhe pse fizikisht të ndarë, jehona e punës dhe profesionalizmi i tyre e ka shtrirë ndikimin kudo ku veprojnë ata që e prekën nga afër përvojën e tyre.

Sidomos në këto kohë kur shoqëria jonë po vuan pasojat e një arsimi që dita-ditës lëngon nga të paaftët dhe nga aktorë të sistemit që nuk kanë aspak dashuri për këtë profesion, nga ata që padrejtësisht dhe rastësisht vetëquhen mësues dhe gëzojnë për lavdërimin që ky status u jep.

Rikthimi tek respekti dhe tek kontributi i ikonave të arsimit është një domosdoshmëri, veçanërisht kur sheh të paaftë që kanë ç’bërë bukurinë e këtij profesioni të rëndësishëm.

Puna e palodhur e këtyre personaliteteve e çoi arsimin fierak në të tjera nivele.

Vetë duke qenë të arsimuar në Shqipërinë e kushteve të mjera, ata mbollën me personalitetet e tyre parime që i erdhën në ndihmë ngritjes kulturore të mbarë shoqërisë.

Duke çuar rëndësinë e dijes deri në fshatrat më të thella të qytetit, me  kontaktet e vendosura me njerëzit, me anën e tyre shpirtërore, dashurinë për arsimimin, të apasionuar dhe progresistë,  ata lanë pas kontribute të pazëvendësueshme.

Të kësaj rëndësie të madhe janë kontributet edhe të edukatorëve që tashmë në pension gëzojnë respektin e komunitetit fierak si:

Jorgjie Pupi, Llambi Shkurti, Pandora Moçi, Enver Skëndaj, Donika Jorgaqi, Liri Milloshi, Pandeli Capo, Niketa Goxhaj, vëllezërit Adem dhe Sulejman Latifi, Bashkim Goxhaj etj.

Kujdesi për qytetarinë, shpirti arsimdashës dhe etja për kulturë tek figurat të arsimit fierak mbetën të pamata gjatë gjithë jetës.

Falë tyre sot të rinjtë kanë mundësinë të krenohen me traditën fierake të arsimit, me demokracinë që ata i prunë sistemit arsimor, ku si patriotë dhe atdhetarë, shkruan të paharruarën histori të arsimit fierak të këtyre 50 viteve të fundit.