Situata te “Albcontrol”, Lleshaj kundër Ramës: Nuk zgjidhet konflikti me ushtri, punonjësit i meritojnë ato paga

784

Një problem i interesave qytetare më shumë sesa i sigurisë kombëtare, është për ish-ministrin e brendshëm Sandër Lleshaj bllokimi i fluturimeve në aeroportin Nënë Tereza për shkak të grevës së kontrollorëve. I ftuar në A2, ai tha se siguria kombëtare nuk cenohet nga mosfunksionimi i një autoriteti, ndërsa apelon që konflikti të zgjidhet me dialog mes palëve.

Lleshaj nuk është dakord me deklaratat e shumë prej politikanëve, mes tyre edhe kryeministri Rama apo ministrja Balluku, kur shprehen se nga pezullimi i punës kërcënohet siguria kombëtare.

Teksa fton palët që të ulen dhe të gjejnë zgjidhjen me dialog, ka dënuar formën e përdorur nga qeveria duke ushtruar presion me polici dhe ushtri.

“Shoh një problem të interesave qytetare, sesa sigurisë kombëtare. Siguria kombëtare nuk cenohet nga mosfunksionimi i një autoriteti por cenohen interesat e shumë qytetarëve. Shumë plane të qytetarëve janë prishur sot, cenohen interesat e ligjshme. Konflikti nuk zgjidhet me FA e polici, por me dialog mes palëve.

Nëse kjo është çështje politike është turp është e turpshme që të përdoren instrumente të kësaj natyre për të realizuar qëllimet politike. Nuk mund të shkohet në situata ultimative. Është përgjegjësi e lartë penale nëse nuk garantojnë shërbimet emergjente. Nëse një avion do të ulet në Rinas për një situatë emergjente dhe ti nuk e lejon atëherë ti bën një krim. Të ulen dhe të gjejnë zgjidhje.

Është një çështje shëndetësore, stres, tension fizik, apo çështje kontraktore e pagave apo të dyja? Kjo duhet të zgjidhet me maturi. Shoh tension në të dy palët dhe është e vështirë që të gjendet zgjidhje e pranueshme për të dy palët. Albcontrol është pasuri kombëtare. Çështja e pagave është e rëndësishme dhe meritojnë pagat e larta, por po flasim për një situatë të veçantë, ku pagat e të gjithë entiteteve janë ulur dukshëm dhe kjo duhet sqaruar mirë. Pagat janë në relacion të drejtë me njëra-tjetrën.

Nuk mund të merren para në rrugë të tjera duhet ndarë së pari çështja nëse kemi të bëjmë me problem stresi psikologjik shëndetësor, apo ekonomik e financiar. Unë dua t’i mirëkuptoj por qëllimi i një hapi të tillë duhet te jetë i kufizuar te zgjimi i vëmendjes publike dhe besoj që është realizuar qëllimi i tyre për t’u dëgjuar nuk mund të shkohet në ekstreme të tjera se ka shumë punonjës në Shqipëri që mund të bëjnë dëm të madh”.-është shprehur Llleshaj

Ky artikull është i shkruar nga gazetarët e Descript.al, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Descript.al dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.