Skandali-Sanitarja u hoq si infermiere dhe mori 8 mln lekë/Reagon Ministria e Shëndetësisë, ja vendimi që merr ndaj punonjëses

856

Ministria e Shëndetësisë ka reaguar pas skandalit ku sanitarja e spitalit ‘Shefqet Ndroqi’, bënte pazar me jetën e pacientëve.

Ministria e Shëndetësisë ka shkarkuar sanitaren pas denoncimit të një vajze e cila kishte humbur nënën e saj nga Covidi. Sipas denoncueses, sanitarja duke u hequr si infermiere, i ka marrë asaj rreth 8 milionë lekë të vjetra për shërbimet ndaj nënës së saj.

Reagimi: 

U denoncua për korrupsion, Ministria e Shëndetësisë dënon me forcë aktin: Shkarkim i menjëhershëm për sanitaren e COVID2

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dënon me forcë veprimin e paligjshëm dhe korruptiv, të sanitares me inicialet T.A., tē spitalit “Shefqet Ndroqi”, i bërë publik sot në emisionin investigativ “STOP”.

Ministria e Shëndetësisë i ka kërkuar drejtorisë së spitalit “Shefqet Ndroqi” shkarkimin e menjëhershëm nga detyra të sanitares me inicialet T.A.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i kërkon autoriteteve kompetente, të kryejnë sa më parë hetimin e këtij rasti, për ta çuar atë deri në fund.

Akti i izoluar i një punonjëseje të papërgjegjshme, nuk mundet kurrësesi të njollosë punën e jashtëzakonshme dhe sakrificën e mijëra mjekëve dhe infermierëve në të gjithë Shqipërinë, në këtë kohë të vështirë të pandemisë.

MSHMS falënderon emisionin investigativ “STOP” për denoncimin e rastit në fjalë dhe siguron qytetarët se nuk do të tolerojë asnjë rast abuzimi me të drejtën e tyre për të marrë shërbimin shëndetësor që u takon.