Spanjë/Dy shqiptarë plagosen me thikë nga patriotët e tyre, ja si nisi sherri për ‘klientët’ që çonin drejt Anglisë

249

Policia franceze ka arrestuar dy shqiptarë  të moshave 27 dhe 29 vjeç pas një sulmi të kryer me thikë ndaj dy bashkëkombësve të tyre.

Sipas mediave të huaja ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 20 janarit, në një zonë parkimi kamionësh në Hoznayo të Spanjës.

Në konflikt janë përfshirë katër persona, nga të cilët dy kanë ardhur me mjetin e tyre dhe kanë qëlluar menjëherë me thikë dy të tjerët që gjendeshin aty.

Njëri prej tyre mori gjashtë plagë me thikë në gjoks dhe në shpinë. Ai u shtrua në Spitalin e Valdecilla, në Santander në gjendje kritike për jetën, ndërsa tjetri është plagosur në këmbë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, shkruan media spanjolle Eldiario. 

Autoritetet spanjolle kanë filluar hetimet për mjetin e përdorur nga atentatorët, në të cilin kanë gjetur dy thika kuzhine me një teh rreth 20 centimetra në të cilat kishte gjurmë gjaku. Ndërsa dyshohet se motivi i sulmit mund të ketë të bëjë me kontrollin që të paraburgosurit synonin të kryenin mbi emigrimin e shtetasve shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar.

Ndërkaq, dy atentatorët u arrestuan në Francë, dhe janë njohur me masën e sigurisë arrest me burg, ndërsa më pas do t’i dorëzohen autoriteteve gjyqësore Spanjolle.