‘Të fortët e Shkodrës’ / Nga kompania e peshkimit te hotelet e komplekset, zbulohen pronat e vëllezërve Cafi

382

OFL sot ka zbarkuar në Shkodër dhe u ka dërguar kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë katër shtetasve, mes tyre edhe vëllezërve Gëzim e Bledar Cafi, të cilësuar si banditët e Shkodrës.

Bledar Cafi, i njohur si i forti i Shkodrës, akuzohet për disa vepra penale, si vrasje, përdorim armësh dhe eksplozivi në mënyrë të paligjshme, si dhe krime të tjera që ende nuk janë dokumentuar.

Gëzim Cafi, banues në Shkodër ka qenë i dënuar për akuzat e “vjedhjes me armë me pasojë vdekjen të kryer në bashkëpunim” e “mbajtje pa leje të armeve të zjarrit”.

Ndërkohë janë zbuluar edhe bizneset që ata kanë në pronësi. Bledar Cafi ka në pronësi Bar-Kafe, një kompani peshkimi në lumin Buna dhe një njësi tregtare të produkteve me shumicë dhe pakicë në Shkodër. Objekti i kësaj njësie tregtare është “Tregtim i artikujve ushqimorë me shumicë dhe pakicë”. Cafi zotëron 45% të aksioneve në kompaninë e peshkimit “Dajlani” në Shkodër.

Ndërkohë nga verifikimet e kryera rezulton se vëllai tjetër i Bledar Cafit, Gëzim Cafi, nuk ka asnjë pasuri në emër të tij. Pasuria e tij është në emër të bashkëshortes Violeta Cafi, deklaron gazetari Elton Qyno, referuar një raporti të Policisë së Shtetit.

Në emër të kësaj të fundit është i regjistruar një biznes, Bar-Restorant dhe Hotel në zonën Rrethina në Shkodër. Hoteli sipas burimeve quhet “Zues” dhe komplesi “Prince of lakes”. Ndërsa mësohet se në emër të njërit prej djemve të Gëzim Cafit, ndodhet një biznes Bar-Kafe dhe shezllone me qera në bregdetin e Velipojës në Pulaj.

Mësohet se vëllezërit Cafi kanë në pronësi edhe disa automjete luksoze. (Marrë nga Newsbomb.al)