Të jetë katandisur kështu edhe Shabani ynë?!

61

Fanatikët e filmave të vjetër shqiptarë, ata që rrinë e i shohin për herë të 109-të, vetëm për të fiksuar ndonjë batutë që e kanë harruar pa mësuar përmendësh, e kujtojnë fare mirë besoj, Pandi Raidhin tek filmi “Shtigje lufte”, kur i çuditur për fallco partizanët që i mbinë në derë, vajtoi për djalin e tij partizan, që quhej Shaban (Robert Ndrenika). Në ditët e sotme, shumë prindër të atyre që janë në vijën e parë politike, me siguri do ta kenë riparë filmin, në prime time, e do të kenë psherëtirë të njëjtën shprehje.

Java që u mbyll, u tejmbush si paraardhësja, me “mbeturina”, në kuptimin e objektit, në kuptimin e përdorimit brenda fjalive, e në kuptimin e etiketimit të tjetrit. E thënë më troc, plehrat u bënë argument politik, politika i bëri argument për drejtësinë, drejtësia i bëri….deri tani plehra i ka lënë, nuk i ka bërë gjë tjetër.

Me mbeturina në gojë e në rrjete sociale, kryeopozitari iu “hodh” kryeministrit, kryeministri “iu shkarkua” presidentit, presidenti “iu zbraz” drejtësisë, drejtësia….drejtësia “veproi” me urtësi…ose thënë ndryshe, qëndroi urtë.

Shqiptarët edhe njëherë, panë atë që dihej që do shihnin, me një shpresë idiote, se do të ishte “një shfaqje ndryshe”. Të mjerët harrojnë, se sado herë ta shohin të njëjtin film, prapë kali i bardhë, që ngordhi tek shfaqja e fundit, do të ngordhë sërish…kot presin ta hajë i ziu.

Por edhe tollovia nuk po ka më lezet…Herë ngatërrohet me humor, herë shkon e del si ofendim, një herë tjetër pastaj, shndërrohet në fyerje…Më vonë del si ulërimë, më tutje, vjen me lot në sy.

Ama përjetimi, shija që njerëzit morën, ishte e hidhur. Ishte e dëmshme, ishte psherëtitëse, mërzitëse, ishte shije si ajo që të lënë prehrat e mbledhura dhe të pahedhura ende në kosh.

E në këtë përballje të ashtuquajturish, ku i ashtuquajturi hero, kritikon të ashtuquajturin shpëtimtar, më pas të ashtuquajturit opozitarë, të cilët nga ana e tyre, hartojnë të ashtuquajturat padi penale…njerëzit arritën të shohin një miks mes pingpongut dhe tenisit…që po t’i ndërfutësh tek njëra tjetra si fjalë…pale ku dalin.

Por në fund të fundit, kështu ia do “roli”. Shabani i filmit, e kishte ndarë mendjen që edhe mund të vdiste…”shabanët” e realitetit, e kanë mendjen që do të bëjnë gjithcka, për të “mos vdekur politikisht”. Duan të mbeten të dërguarit e Zotit mbi dhe’…Të dytit në radhë pas Krijuesit…e mbase edhe ta parakalojnë ndonjë të enjte.

Por ndoshta me pak reagim, e me shpresë të Zotit, gishti i lutjeve të tyre ndaj të Madhit, mund tu vijë në fytyrë, si gishti i tretë që i Madhi zgjedh për ta.