‘U shokuam dhe na u mbushën sytë me lot’/Konsulli shqiptar në Liban rrëfen detajet e shpëtimit të fëmijëve nga kampi i ferrit

81

“Atë që pamë atje nuk mendoj se do të dëshironte ta shihte dikush ndonjëherë në jetë. Ishte shokimi më i madh i jetës sonë, flas për veten, dy oficerët shqiptarë që më shoqëruan dhe kapitenin vendas – ne ishim të shokuar, na u mbushën sytë me lot dhe mbase kjo na dha forcë që të vazhdonim operacionin dhe të ndihmonim shqiptarët të kthehen. Situata atje është dramatike,” me këto fjalë e komentoi konsulli i nderit të Shqipërisë në Liban, z. Marc Ghorayeb operacionin e shpëtimit të pesë shqiptarëve nga kampi i ferrit Al-Hol në Siri.

Në një intervistë për Euronews Albania, Ghorayeb tha se pas shpëtimit të Alvin Berishës, prej një viti filloi një punë intensive me porosi të kryeministrit Rama, për të mundësuar kthimin në atdhe të pjesës tjetër të fëmijëve të mbetur në zonat e luftës në Lindjen e Mesme.

Konsulli me origjinë shqiptare u shpreh se pandemia ngadalësoi procesin e kthimit të pjesës së parë, që mund të kishte ndodhur që në shkurt ndërsa theksoi se operacioni vazhdon.

“Urdhri u dha nga Ministria e Jashme dhe kryeministri Rama, si dhe nga Ministria e Brendshme, ministri Sandër Lleshaj. Të vetmit të përfshirë në këtë çështje janë Rama, Lleshaj, Ghorayeb, Gledis Nano dhe Indrit Doda,” shtoi konsulli duke e vënë theksin dhe tek vështirësitë e rreziqet e operacionit.

“Para një muaji e gjysmë filluam punën në terren, telefonova ministrin Lleshaj dhe i thashë të vinte në Liban të hënën dhe ai erdhi. Ishte shumë e vështirë të merrnim vizat për dy oficerë policie, por ia dolëm me ndihmën e “engjëllit tonë mbrojtës”, gjenerali Abbas Ibrahim, i cili gjithashtu e do Shqipërinë,” tha Ghorayeb.

Katër të mitur dhe një grua u shpëtuan këtë javë nga faza e parë e operacionit të kthimit në Shqipëri nga kampet e Lindjes së Mesme.

A ka shpresë për shqiptarët e tjerë të mbetur atje? – pyeti gazetarja Tare konsullin e Shqipërisë në Liban. Z. Ghorayeb u përgjigj se misioni vazhdon, por kjo nuk do të ndodhë përmes grumbullimit të personave të mbetur atje, dhe tha se ata do të evakuohen me faza, duke siguruar shëndetin e tyre.

Konsulli nuk dha detaje për të gjitha palët e përfshira në operacion për të siguruar vazhdimësinë e tij.

I pyetur lidhur me shpërblime të mundshme ofruar palëve për lirimin e shqiptarëve të mbetur atje, Z. Ghorayeb refuzoi të ishte paguar ndonjë shumë, duke cilësuar se ishte një çështje humanitare./Euronews.al/