VIDEO / Dhunë në ndeshjen e të rinjve. Plasin grushtet dhe shkelmat mes njëri-tjetrit, përfshihen edhe prindërit

242

Një ndeshje e futbollit të moshave në kryeqytet është shndërruar në një arenë përleshjeje.

Në sfidën e luajtur mes Fotball Republic U19 dhe Teutës U19 ka ndodhur një ngjarje e shëmtuar ku një debat mes dy lojtarëve kundërshtarë është bërë shkak për një sherr masiv që duket se ka përfshirë edhe më të rriturit që shoqëronin lojtarët.

Një penallti në minutat e fundit për ekipin vendës ka provokuar reagime mes lojtarëve dhe sulmuesi që gjuajti me portierin kanë nisur një debat që nisi dhe sherrin masiv më pas.

Pamjet flasin qartë dhe shihet që fusha e blertë është kthyer në një ring përleshjeje mes lojtarëve të të dyja ekipeve dhe prindërve të tyre.

Edhe ndërhyrja e punonjësve të sigurisë së fushës mezi e ka qetësuar situatën ndërsa Disiplina sigurisht do të bëjë të sajën duke marrë masa të ashpra ndaj lojtarëve dhe skuadrave.