(VIDEO) Ja si do zhvillohet mësimi nga 1 dhjetori, klasat që përjashtohen

109

Një ditë më parë Ministrja e Shëndëtësisë Ogerta Manastirliu, njoftoi se mësimi në shkolla duke nisur nga data 1 dhjetor do zhvillohet i alternuar mes atij online dhe klasik.

Këtë të enjte ka qënë Ministrja e Arsimit Evis Kushi, që ka bërë të ditur protokollin e ri që do të ndiqet.

Sipas ministres klasa e parë dhe e 12 janë ato të cilat do të vijojnë mësimin fizik në klasa, pavarësisht çfarëdo lloj skenari.

Ndërkohë pjesa tjetër nga klasa e parë në të pestë do të zhvilloj mësim fizik fillimisht, por skenari i dytë mund t’i çojë në një mësim të alternuar online dhe në klasa. Shkollat do të duhet të raportojnë pas çdo jave situatën e Covidit tek zyrat arsimore, ç’ka do të përcaktojë dhe skenarin e javës pasardhëse.

Ndërsa klasat nga e 6 në të 9, si dhe klasat 10 dhe 11 do të zhvillojnë mësimin në këtë mënyrë:

Në javën e parë dhe të tretë të muajit: 2 ditët e para të javës në mjediset e shkollës, dhe 3 ditët e tjera të javës online.

Në javën e dytë dhe të katërt, ditët këmbehen: 2 ditët e para të javës nxënësit janë online dhe 3 ditët e tjera të javës me prezencë fizike në shkollë.

NJOFTIMI NGA MASR: 

Pas rekomandimit të djeshëm të Komitetit të Ekspertëve për zhvillimin e mësimit të kombinuar në sistemin e arsimit parauniversitar, jam sot këtu për t’ju informuar rreth disa vendimeve të rëndësishme që kemi marrë në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) në lidhje me vijueshmërinë e procesit mësimor në shkollat tona.

Skenari i mësimit të kombinuar do të nisë të zhvillohet nga data 1 dhjetor 2020 deri në një vendim tjetër, sipas rekomandimeve të Komitetit Teknik të Ekspertëve dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS).

Gjatë kësaj periudhe, do të vazhdojë të zbatohet i njëjti program mësimor, të njëjtat plane mësimore e ngarkesa të mësuesve, si dhe rekomandohet të zbatohet orari mësimor që shkollat kanë aktualisht.

Çdo të premte, shkollat në bashkëpunim edhe me Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, do të raportojnë në Zyrat Arsimore lidhur me situatën e tyre, dhe më pas do të merret vendimi për çdo shkollë për mënyrën si do të zhvillohet mësimi.

Sipas këtij udhëzuesi:

Klasat e arsimit fillor, nga e para në të pestën, dhe klasa e 12-të (pra maturantët) do të zhvillojnë normalisht procesin mësimor në mjediset fizike të shkollës – njësoj siç kanë vepruar deri më tani me SKENARIN 1 të Udhëzuesit për fillimin e vitit shkollor 2020 – 2021;

Ndërsa klasat nga e 6 në të 9, si dhe klasat 10 dhe 11 do të zhvillojnë mësimin në këtë mënyrë:

Në javën tek, pra javën e parë dhe të tretë të muajit: 2 ditët e para të javës në mjediset e shkollës, dhe 3 ditët e tjera të javës online.

Në javën çift, pra në javën e dytë dhe të katërt, ditët këmbehen: pra 2 ditët e para të javës nxënësit janë online dhe 3 ditët e tjera të javës me prezencë fizike në shkollë.

Në varësi të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, në rast se shkollat kanë situata të rënduara në stafet mësimore apo tek nxënësit, me urdhër të MASR, mund të aplikohet skenari kur vetëm klasat fillore (nga 1 tek e 5) dhe maturantët zhvillojnë mësimin në klasë. Ndërsa klasat e tjera bëhen online.

Dhe në raste më të rënduara, vetëm klasa 1 dhe klasa 12-të në mjediset fizike të shkollës, ndërsa të gjitha klasat e tjera do të zhvillojnë mësimin online.

Dua të theksoj gjithashtu që në raste të veçanta, kur ka raporte mjekësore, apo me kërkesë të prindit, nxënësit mund ta zhvillojnë mësimin tërësisht online, duke kaluar nga një grup në tjetrin brenda klasës.

Për ato shkolla, publike apo private, në qytet apo fshat, ku numri i nxënësve nëpër klasa është i ulët dhe nuk ka raste të infektuarish me COVID-19, mund të vazhdojë të zbatohet skenari i parë, siç është në fuqi, natyrisht në zbatim të rregullave dhe protokolleve shëndetësore dhe me mirëkuptimin e prindërve.

Gjatë gjithë kësaj periudhe, kanali i dedikuar “RTSH Shkolla” dhe platforma online “Akademi.al” do të jenë në dispozicion të nxënësve dhe mësuesve në mbështetje të procesit mësimor.

Më lejoni që përmes këtij mesazhi të përshëndes edhe të gjithë studentët dhe stafet pedagogjike të institucioneve tona të Arsimit te Lartë. Për ta, Komiteti i Ekspertëve ka sugjeruar që mësimi online të vazhdojë edhe pas muajit të parë për një afat të pacaktuar në varësi të situatës së pandemisë.

Unë kam shumë besim që edhe universitetet do të vazhdojnë me rigorozitet zbatimin e këtij skenari, për të cilin janë të përgatitur dhe kanë krijuar tashmë një eksperiencë edhe gjatë muajve të parë të pandemisë, por edhe gjatë këtij muaji sfidues të fillimit të vitit të ri akademik.

Në fund, dua të përsëris një apel për të gjithë ju, që ashtu siç keni qenë model deri tani nëpër shkolla, të vazhdojmë me respektimin e protokolleve shëndetësore dhe masave anti-COVID, të cilat janë aq shumë të nevojshme për të ruajtur shëndetin e gjithsecilit dhe për ta kapërcyer sa më parë këtë situatë.

Mbetem e hapur ndaj çdo kërkese apo sugjerimi që keni, duke kontaktuar si drejtuesit e institucioneve arsimore, ashtu dhe mua në adresën personale të e-mailit.

Faleminderit dhe shumë mbarësi!