(VIDEO) Kantieri i rindërtimit në Tiranë, Rama: Rindërtimin dhe pandeminë po i përballojmë me sukses, askush s’do i rezistonte

60

Kryeministri Edi Rama mori pjesë këtë të premte në në hapjen e kantierit të parë për rindërtimin e një lagjeje në Tiranë, e cila do të shërbejë për strehimin e të paktën 11 mijë personave, të cilët humbën shtëpinë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Gjatë fjalës së tij, Rama është shprehur se vendi ynë mori dy goditje të rënda njëra pas tjetrës, tërmetin dhe pandeminë, por sipas tij, qeveria po i menaxhon me sukses këto situata.

“Ka dy mënyra për ta përballuar një krizë, njëra për ta përballur si një shfaqje të momentit dhe për të kuruar plagën momentalisht, dhe mënyra tjetër është për ta përballur si një mundësi të re për t’u ngritur më lart se sa përpara se kriza të shfaqej. Unë gjithmonë kam besuar dhe besoj se çdo krizë është një mundësi e madhe.

Kjo zonë këtu mbase do të ishte prekur për t’u ngritur më lart pas 10-20-30 vitesh, kur të krijoheshin mundësitë. Ndërkohë që ne e prekim këtë zonë sot me ambicien që mbi këto rrënoja apo ngrehina kaotike të shumë dekadave të mbledhura së bashku të ndërtojmë në pak vite një qendër të re të Tiranës, një adresë të re për Tiranën që duam, për gjeneratat e tjera, dhe një hapësirë cilësisht të re për plot 11 mijë banorë të vjetër e të rinj.

Më 26 nëntorin e shkuar ne u gjendëm përballë një sfide të jashtëzakonshme, me 15 mijë familje që brenda pak sekondash u gjendën pa shtëpi. Në pak muaj na ndodhi që të vendoseshim mbi një sprovë mbi sprovën, që ishte shfaqja e armikut të padukshëm, që edhe sot mbanë botën në ankth e sprovon të gjitha qeveritë. Janë dy goditje njëra pas tjetrës, që askush tjetër nuk do të kishte mundur dot t’i rezistonte, sikundër ne jo vetëm po i rezistojmë, por po i rezistojmë me forcë, durim dhe me sukses.

Covid mund ta kishte përmbysur krejtësisht gjithçka. Mund të kishte detyruar Shqipërinë, duke na detyruar ne të futeshim në një gjendje thjesht mbijetese të përditshme, duke i lënë mënjan të gjitha planet e të nesërmes dhe duke harruar madje që ka të nesërme.

Në fakt, njerëzit dëgjojnë përditë, me gjithë brutalitetin e atyre që janë në anën e stolave rezervë dhe që duan të rikthehen në krye të punëve të vendit, të cilët insistojnë me këmbënguljen e atij që nuk sheh dot përtej hundës së vet, përtej të sotmes, nuk ka asnjë vizion për të nesërmen, se ne duhet të shpenzojmë gjithçka kemi për të përditshmen”, tha Rama.