(VIDEO) LSI thirrje qeverisë: Rindërtimi në Kombinat të bëhet aty ku janë banorët

77

Ish deputetja e LSI-së, Floida Kërpaçi i ka bërë thirrje qeverisë për rindërtimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit.

Kërpaçi ka folur lidhur me shqetësimet e banorëve të zonës së Kombinatit në Tiranë, që sipas saj po nxirren nga pronat e tyre, pa pasur asnjë kontratë dhe asnjë garanci juridike që nuk tjetërson pronën e tyre.

Deklarata e plotë: 

Në këto ditë tejet të vështira të përballjes me virusin COVID-19, marrim rastin të shprehim keqardhjen për të gjithë familjet që kane humbur të dashurit e tyre, dhe solidarizohemi me çdo familje shqiptare që sot po e përballon e vetme, pa mbështetjen e duhur nga shteti pandeminë, si nga ana mjekësore ashtu dhe financiarisht kostot shoqëruese të saj.

Jam sot në këtë komunikim për të përfaqësuar, për të disatën herë, zërin e shqetësimeve të banorëve të zonës së Kombinatit, banesat e të cilëve janë dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit.

Me urdhër të Bashkisë së Tiranës ka filluar prishja e pallateve në Kombinat.

Banorët po nxirren nga pronat e tyre, pa pasur asnjë kontratë dhe asnjë garanci juridike që nuk tjetërson pronën e tyre.

Vendimi për prishje, pa garantuar banorët të cilët janë pronarë të ligjshëm të truallit është totalisht në shkelje të ligjeve të shtetit shqiptar.

As qeveria dhe as Bashkia e Tiranës nuk mund të marrin vendime pa firmosur me banorët një kontratë se çfarë do të bëhet me truallin e këtyre godinave.

Këta banorë përveçse janë pronarë të apartamenteve të banimit dhe bizneseve të tyre, në momentin që kanë privatizuar këto banesa kanë blerë dhe truallin dhe njihen ligjërisht si bashkëpronarë.

Në këtë rast, Bashkia e Tiranës dhe çdo institucion tjetër nuk mund të marrë asnjë vendim mbi këto prona pa nënshkruar një kontratë me pronarët e ligjshëm të truallit.

Shmangia e kësaj procedure nga Bashkia e Tiranës ka vetëm një synim: tjetërsimin e këtyre pronave për t’ia dhënë klientëve të saj dhe të qeverisë që të ndërtojnë kulla shumëkatëshe, ndërkohë që banorët e Kombinatit do të zhvendosen diku tjetër.

LSI kërkon nga Bashkia e Tiranës që të ndalë sa më parë këto akte që cenojnë pronarët e ligjshëm të truallit në Kombinat. Në kërkojmë që zëri i banorëve të dëgjohet, që rindërtimi të kryhet në të njëjtin vend ku kanë banuar deri më tani këta banorë dhe jo të degdisen në zona të tjera.

Krizat nuk duhen përdorur për të shtypur qytetarët. Krizat nuk duhen përdorur për të zhveshur qytetarët nga të drejtat e tyre legjitime dhe kushtetuese. Aq më pak pandemia shëndetësore që po përballemi.

25 prilli është dita kur të gjithë shqiptarët në një referendum mbarë popullor do t’i japin ndëshkimin të gjitha praktikave korruptive dhe grabitëse të këtij pushteti dhe pas 25 prillit çdo shqiptar do të marrë të drejtën që i takon. LSI është e angazhuar për këtë!

LSI garanton të gjithë banorët e Kombinatit dhe të të gjithë zonave të prekura nga tërmeti se rindërtimi do të kryhet me përgjegjësi të plotë në respekt të të gjitha të drejtave të tyre si pronar, aty ku kanë pronat aktualisht.

Faleminderit!