Vrau tre persona, duke i prerë kokën dy prej tyre, dalin detaje dhe pamje të vrasësit 21-vjeçar

112

Mediat e huaja kanë bërë publike detaje për personin që kreu sulmin terrorist ditën e djeshme në Nicë të Francës, ku i preu kokën dy personave dhe vrau një të tretë me thikë.

BBC raporton se sulmuesi ishte me origjinë tuniziane dhe vetëm kohët e fundit kishte mbërritur në Evropë, thonë zyrtarët.

I dyshuari, 21 vjeç, kishte një dokument të Kryqit të Kuq italian, lëshuar pasi ai arriti në ishullin Italian të Lampedusas me anije emigrantësh muajin e kaluar.

Imazhi i parë i sulmuesit është publikuar nga mediat franceze, ku i riu nga Tunizia shihet i shtrirë në tokë i mbuluar në gjak, ndërsa mjekët i jepnin ndihmën e parë dhe më pas e dërguan në spital, ku është në gjendje kritike për jetën.

Brahim Aoussaoui i lindur në Tunizi në vitin 1999, ishte futur në Evropë përmes ishullit italian Lampedusa gjatë 20 shtatorit dhe arriti në Paris më 9 tetor.

Hetuesit i kanë gjetur dy thika tjera që “papërdorura”, Kuranin dhe dy telefona celularë që i kishte futur në një çantë.

Njërës prej viktimave i ishte “prerë koka krejtësisht”, tha kryeprokurori francez i anti-terrorizmit.

Presidenti Emmanuel Macron e konsideroi ngjarjen një “sulm terrorist islamik”.

Macron tha se numri i ushtarëve që po vendosen për të mbrojtur vendet publike, të tilla si kishat dhe shkollat , do të rritet nga 3,000 në 7,000. Prokurorët anti-terror kanë nisur një hetim dhe Franca ka ngritur alarmin e saj të sigurisë kombëtare në nivelin më të lartë.

Sulmi në Nicë vjen pas një sulmi tjetër më parë këtë muaj pranë një shkolle në veri-perëndim të Parisit. Samuel Paty, një mësues, iu pre koka pasi u tregoi disa nxënësve të tij karikatura të Profetit Muhamed.

Kjo vrasje ka rritur tensionet në Francë. Mbrojtja e Macron e të drejtës për të botuar karikaturat dhe përpjekjet e qeverisë për të goditur Islamin radikal kanë zemëruar Turqinë dhe vendet e tjera me shumicë myslimane.

/Descript.al/