Zgjedhjet e 25 prillit/ Fatmir Mediu vë me “shpatulla pas murit” Lulzim Bashën

1725

Partia Republikane kërkon që të ketë 36 kandidatë për deputetë në listat e përbashkëta me Partinë Demokratike për zgjedhjet e 25 prillit.

Prezantimi i tyre është bërë në mbledhjen e aktivit të Tiranës, në një kohë  kur dy partitë më të mëdha të opozitës PD dhe LSI ende nuk e kanë vendosur nëse do të dalin me lista të përbashkëta në zgjedhje.

Opozita synon të konkurrojë në këto zgjedhje me skemën me dy blloqe koalicioni, një ku përfshihen PD dhe aleatët e saj tradicionalë si PR, ndërsa blloku tjetër LSI, ku mendohet të përfshihen PDIU dhe ndonjë parti tjetër e kampit opozitar.

Por sot Mediu ka bërë një lëvizje të papritur, duke shpallur 36 kandidatë të PR-së për zgjedhjet e 25 prillit, duke e vënë Bashën para një fakti të kryer.

Mediu gjatë këtij prezantimi pati një mesazh të fortë, që i drejtohet aleatit, kryetarit të PD-së

“Po kërkojmë reciprocitet, respekt, vlerësim të njerëzve të Partisë Republikane, të historisë së Partisë Republikane, të peshës së Partisë Republikane dhe njëkohësisht të ideve të Partisë Republikane, sepse besojmë tek këto ide dhe këto vlera.

Kjo është trupa elektorale e Partisë Republikane. Këta do të jenë kandidatët, ju do të jeni kandidatët, në çdo qendër votimi, për të punuar të gjithë së bashku”, tha kryerepublikani.

Më tej ai theksoi se “ne duam të fitojmë me Partinë Demokratike dhe i takon Partisë Demokratike që të paracaktojë dhe të tregojë se cilat janë rrugët e fitores, dhe e vetmja rrugë është rruga e ndershmërisë, për të pranuar se kush je dhe për të pranuar se me kë punon, për të ndërtuar një koalicion vlerash”.

Kryerepublikani ka shtuar se e djathta duhet të jetë e unifikuar në këto zgjedhje, duke shtuar se duhet një koalicion vlerash, duke respektuar peshën politike.

“E vetmja mënyrë për të ndërtuar një koalicion vlerash, elektorale dhe politike, është kur respekton dhe vlerëson peshën e çdo partie politike, dhe në mënyrë të padiskutueshme, kur arrin dhe gjykon sëbashku, kush janë kandidatët që përfaqësojnë këto vlera, për t`a çuar jo thjesht opozitën përpara, por shoqërinë përpara, në mënyrë që në Parlament nesër, të jenë zëri i qytetarëve dhe i mundësisë për një realitet ndryshe, për të ndërtuar shtetin dhe jo vetëm thjesht të jenë në Parlament për t`i shërbyer pushtetit”, theksoi Mediu.