Zgjedhjet e 25 prillit/Idrizi lëshon paralajmërimin e fortë për Bashën: Kujdes, këtu nuk jemi te…

205

Partia Demokratike për Integrim dhe Unitet është një nga forcat e kampit opozitar që ende nuk ka arritur një marrëveshje për zgjedhjet e 25 prillit me Partinë Demokratike.

Kreu i kësaj force politike, Shpëtim Idrizi i ka bërë një paralajmërim kryedemokratit Lulzim Basha që të bëjë kujdes me synimet që ka në kokë për marrëveshje pasi këtu nuk bëhet fjalë për tregun e gjësë së gjallë.

Idrizi thekson se është i gatshëm të bashkëpunojë por është shumë i rëndësishëm mirëbesimi dhe vlerësimi i peshës elektorale të partive në koalicion.

PDIU i ka filluar negociatat me PD por më duhet të theksoj përqasjen tonë. E shohim si bashkim të të gjitha partive që kanë një qëllim, në kushtet e mirëbesimit dhe peshës elektorale ndër vite. Të bëjmë një front opozitar përballë ndryshimit të madh që kërkojnë qytetarët. Unë refuzoj që ta quaj këtë këtë marrëveshje të gjësë së gjallë. Nuk është kështu. E shoh si sinergji dhe koalicion opozitar. Sigurisht që primatin e ka PD por PDIU nuk do të futet në listat e PD-së”, ka theksuar Idrizi për Top Channel.

Sipas tij marrëveshje duhej bërë më parë por ndërhyrja e mazhorancës në kodin zgjedhor e kanë vështirësuar punën: “Marrëveshja me opozitën është një marrëveshje që duhej bërë më parë, sot duhet të ishim duke bërë marrëveshje me popullin, por është pasojë e ndryshimeve të njëanshme që iu bënë kodit zgjedhor dhe rregullave të lojës. Rama e futi këtë element për të krijuar tension mes nesh.”

Idrizi është i bindur kur thotë se PDIU nuk do të dalë e pakënaqur nga ky koalicion or megjithatë thotë se partia që drejton ka shumë rrugëzgjidhje të tjera.

Sipas tij vendimet duhet të merren për qëllimin e përbashkët por nuk do të lejojë që të mos marrë atë që i takon. “PDIU, është parti e matur elektoralisht që nga viti 2010. Në bazë të peshës tonë specifike, normal që jam i detyruar të ruaj edhe elektoralin e PDIU-së dhe kauzën e saj. Unë nuk mund ta negocioj PDIU-në edhe qoftë për arsye personale”.

“Nëse nisemi nga qëllimi, nga pesha specifike, mirëbesimi dhe nevoja e arsyeshme e të dy palëve për ta gjetur zgjedhjen, ne jemi të gatshëm që të negociojmë”, thekson Idrizi.

Ndërkaq, kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, në një intervistë për Descript.al deklaroi se ka biseduar me kryedemokratin Lulzim Basha, por marrëveshje do të realizojë vetëm me Partinë Demokratike, ndryshe do të shkojë i vetëm në zgjedhje.  

LEXO EDHE: 

25 prilli/Fatmir Mediu: Jam takuar me Bashën, por marrëveshje bëj vetëm me PD-në. Ndryshe, dalim të vetëm në zgjedhje